Familjet me asistencë, sherr në Këshillin Bashkiak
BURREL - Këshilli Bashkiak nuk pranon dokumentet e 103 familjeve për trajtimin me ndihmë ekonomike për muajin tetor të këtij viti, ndërkaq 84 të tjera janë larguar nga skema se nuk kanë përmbushur kriteret ligjore. Në mbledhjen e djeshme të këshillit janë rindezur debatet dhe replikat mes drejtuesve të bashkisë, këshilltarëve të opozitës, punonjësve të zyrës së ndihmës ekonomike dhe familjarëve të pranishëm. Fillimisht këshilltarët e majtë pyetën cilat janë arsyet e largimit nga skema të kaq shumë familjeve. Përgjigjja ishte se nga verifikimet në terren të familjeve përfituese rezulton se disa nga përfituesit e mëparshëm nuk i plotësonin kriteret ligjore. Këshilltari Kastriot Punavija tha se largimi i 84 familjeve njëherësh lidhet me përdorimin e tyre për fushatën e fundit politike, ndërkaq tani lihen në mëshirë të fatit. Ai tha se nuk është hera e parë që bashkia e këtij qyteti abuzon me varfërinë e këtyre familjeve. "Sa herë afron fushata përfshihen në skemën e trajtimit me ndihmë ekonomike dhe pak muaj pas fushatës hiqen përsëri". Specialistët e zyrës së ndihmës ekonomike thanë se nga verifikimet e kryera, disa nga pjesëtarët e këtyre familjeve janë vetëpunësuar dhe të tjerë nuk banojnë në qytetin e Burrelit. Sipas tyre, çdo muaj ka rritje të kërkesave për ndihmën ekonomike, por fondi është i pamjaftueshëm. h.p