E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, vetëvritet ish-kreu Partisë Demokratike

Ka vendosur t‘i japë fund jetës një nga funksionarët më të hershëm të PD-së së qytetit të Vlorës, i cili ka mbajtur poste drejtuese në parti e institucione të dryshme në qytet nga viti 1991 deri para disa muajsh. Shpëtim Xhyheri 68 vjeç, është gjetur i vetëvrarë në banesë në orën 11:00 të ditës së djeshme nga të afërmit e tij. Ai ka qëlluar veten në kraharor me një çifte gjahu dhe plaga i ka shkaktuar vdekjen pa mundur të marrë ndihmën e parë në spital.

Policia e Vlorës tha se Xhyheri ka drejtuar një çifte gjahu drejt trupit, duke e vendosur grykën e armës në gjoks në pjesën e zemrës dhe më pas e ka shkrepur atë. Familjarët që kanë qenë në një dhomë tjetër të shtëpisë kanë nxituar t‘i shkojnë në ndihmë. Ata e kanë transportuar me urgjencë në spitalin rajonal, por ka qenë e kotë, pasi 68-vjeçari ka ndërruar jetë ende pa mbërritur në dorë të mjekëve. Trupi i 68-vjecarit është çuar më pas në morg, ku është kryer ekspertiza mjekoligjore që ka vërtetuar se vdekja ka ardhur pasi saçmat e armës së gjahut kanë dëmtuar zemrën.

Në banesën e Xhyherit kanë shkuar në pak minuta krerë të policisë së Vlorës, të cilët janë angazhuar vetë në hetime. Në vendngjarje është gjetur arma me të cilën është kryer vetëvrasja, e cila mbante gjurmë të gishtave të viktimës.

Nga deponimet e familjarëve të bëra para grupit hetimor, ka rezultuar se shkak i vetëvrasjes së Shpëtim Xhyherit ka qenë depresioni nervor i shkaktuar nga një sëmundje e pashërueshme prej së cilës ai vuante. Mësohet se për shkak të kësaj sëmundjeje Xhyheri ishte tërhequr prej disa muajsh nga të gjitha aktivitetet politike dhe profesionale.

Shpëtim Xhyeri, baba i dy fëmijëve të rritur, ka qenë kryetari i PD për dy mandate, ka qenë këshilltar i Bashkisë së Vlorës, drejtori i portit dhe së fundi drejtor i policisë ndërtimore. Ai ka qenë një nga figurat më të spikatura të PD-së në qytetin bregdetar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›