E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet qendër droge në Qytet Studenti, kapen pesë persona

Zbulohet një bazë për shpërndarje të lëndëve narkotike në Qytet Studenti. Gjatë një operacioni të realizuar dy ditë më parë, policia ka vënë në pranga tre persona, ndërkohë që dy të tjerë janë lënë në gjendje të lirë. Burimet policore të kryeqytetit shpjeguan se specialistët pranë Seksionit të Luftës Kundër Drogës kryen arrestimin në flagrancë të tre personave, si dhe nisën procedimin penal për dy të tjerë, nën dyshimet për përfshirje në trafik droge dhe organizim të lotarive ilegale. Të arrestuarit janë Alfred Musabelli, 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë; Mirgen Shuke, 23 vjeç, lindur dhe banues në rrugën "Budi"; si dhe Aldo Shehaj, 23 vjeç, lindur dhe banues në Kamzë. Burimet zyrtare policore thanë se arrestimi i të treve është kryer pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga strukturat e policisë në një lokal në Qytetin Studenti, në pronësi të Petref Musabellit dhe Mirgen Shukes, janë kapur në flagrancë me 51 qese brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar të llojit kanabis. Ndërkohë, nga kontrolli i ushtruar në banesën e Aldo Shehajt u gjet një armë e markës "Magnum", të cilën e mbante pa leje. Gjithashtu u la të ndiqet në gjendje të lirë Petref M., 49 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i cili akuzohet për veprat penale të organizimit të lotarive të palejuara dhe vënies në dispozicion të lokaleve për lojëra të palejuara. Nën akuzën e organizimit të lotarive të palejuara po procedohet penalisht edhe 32-vjeçari Elton M., lindur dhe banues në Tiranë, i punësuar në këtë lokal. Policia tha se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 159 gramë lëndë narkotike e dyshuar kanabis, një pistoletë e markës "Magnum", si dhe 75 mijë lekë. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim, përshtatja e lokalit për përdorim droge, dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake e municioneve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›