E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malltezi vijon punën me projektin e Jugut

Koordinatori i Projektit për Menaxhimin e Integruar të Bregut të Jugut, Jamarbër Malltezi, prezantoi dje në Sarandë planin e zhvillimit të parkut kombëtar të Butrintit. Plani përfshin axhendën e zhvillimit për vitet 2009-2015 dhe u prezantua dje në qendrën komunitare të Mursisë. Në fjalën e vet, Malltezi tha se "ky plan do të shërbejë edhe si guidë për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës, një zhvillim që do të marrë parasysh edhe nevojat e komunitetit për zhvillim ekonomik, por edhe nevojat mjedisore dhe të trashëgimisë kulturore të zonës". Sipas Malltezit, "kjo mundësohet përmes një granti nga fondi për mjedisin global, i cili administrohet nga Banka Botërore dhe qeveria e Shqipërisë". Nga gjithë sa u tha, u krijua përshtypja se Parkut të Butrintit i jepet "pjesa e luanit" në të tërën e projektit të Bankës Botërore për menaxhimin e integruar të Bregdetit të Jugut. Sipas projektit, shumë shpejt do të krijohet një ekip nga njerëz të zgjedhur, ndër të cilët do të ketë menaxherë, punonjës që do të punojnë bashkë me komunitetin, agronomë, ekspertë për pemëtarinë dhe ekspertë për ekofarma. Mendohet që të jepen edhe grande për nxitjen e ekofarmave dhe variante të tjera që do t‘i sugjerojë plani i menaxhimit. Në fjalën e vet as Malltezi dhe askush tjetër nuk ka folur se në ç‘masë është mbështetja financiare e planit të zhvillimit të integruar të Butrintit. Interesimit tonë për këtë element të mbajtur të papublikuar, zoti Malltezi iu përgjigj duke thënë se bëhet fjalë për 1 milionë USD. Dhe kjo vetëm në dy vitet e para. E përveç kësaj kostoje, tha Malltezi, do të ketë edhe donacione të tjera. Kështu, koordinatori i Projektit për Menaxhimin e Integruar të Bregut të Jugut, konfirmon vijimin e financimit nga ana e Bankës Botërore, ndërkohë që vetë Banka Botërore ka deklaruar ngrirjen e këtij projekti. Në prezantimin e projektit për Butrintin ka marrë pjesë edhe zëvendësministri i Mjedisit, dr. Taulant Bino, i cili e ka çmuar planin e integrimit të Parkut të Butrintit si një dokument të rëndësishëm, që bën të mundur administrimin e tij si një njësi e përbashkët dhe jo si copëza të veçanta që ndodh të bien në kontradiktë me njëra-tjetrën. Ndërsa prof. as. dr. Ylli Cerova, drejtor i parkut të Butrintit, u shpreh se ishin trefishimi i sipërfaqes së shtrirjes së Parkut dhe rritja edhe e sipërfaqes së zonës së mbrojtur të tij, që sollën natyrshëm nevojën e zbatimit të një plani të integruar zhvillimi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›