E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Nuk lejojmë kompensim për Jalin

Ajo që për Bankën Botërore u duk se qe një skandal i hedhur pas krahëve, nuk është aspak i tillë për qeverinë shqiptare. Në një letër të dorëzuar dje nga ministri i Financave, Ridvan Bode, qeveria i ka deklaruar zyrtarëve më të lartë të këtij institucioni se nuk është aspak dakord me mënyrën se si Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë e trajtoi problemin e Jalit. Qeveria bëri të ditur se nuk është dakord me idenë e kompensimit të banorëve të dëmtuar në Jal, duke shtuar se "kundërshton me forcë" një masë të tillë qoftë edhe sikur dëmshpërblimi të mbulohet nga Banka Botërore. Në një dokument prej 14 faqesh, qeveria ankohet për ato që quan "deklarata të pabaza" nga ana e Panelit të Inspektimit, si dhe kërcënon se "marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe BB mund të dëmtohen".

"Mos i dëmshpërbleni banorët e Jalit"

"Qeveria shqiptare do të kundërshtojë ashpër çdo pagesë për kompensim tek ankuesit nga qeveria apo Banka Botërore, pa marrë në konsideratë më parë nëse ka pasur thyerje ligji apo jo", thotë qeveria në letrën e dërguar në Uashington. Sipas përfaqësuesve të Shqipërisë, problemi qëndron te fakti se dhjetëra mijëra ndërtime pa leje mund të ngrenë pretendime të tilla. "Ne do ta konsiderojmë këtë një veprim shumë të dëmshëm", thotë qeveria. Banka Botërore nuk ka folur deri më sot për kompensim, por ka premtuar se do të mbulojë kostot ligjore të banorëve të dëmtuar, ndërsa avokatët e financuar nga banka do të shqyrtojnë pretendimet e tyre dhe do të vendosin se si duhet të veprojnë. Shumë ekspertë besojnë se ka argumente të mjaftueshme ligjore për të kërkuar kompensim në rrugë gjyqësore nga policia ndërtimore, por procedurat mund të vijojnë gjatë. Burime nga qeveria kanë thënë më herët se zyrtarët e BB i janë lutur në një takim informal që qeveria të mos shkaktojë vonesa të panevojshme dhe të mos ndikojë vendimet e gjykatave. Por qeveria duket e gatshme për luftë. Përfaqësuesit e saj duken të bindur se mund të fitojnë mbi banorët e Jalit në përballjet e mundshme në gjykatë. Argumentet e qeverisë janë që shtëpitë e shembura qenë pa leje, që banorët e Jalit nuk zotëronin tituj pronësie etj.

"Qeveria ka një gjysmë të vërtetë kur thotë se ne nuk kemi certifikatë pronësie", komentoi para pak ditësh Andon Koka, banor i Jalit. "Ne nuk kemi certifikata pronësie për shkak se qeveria nuk na i ka dhënë kurrë", tha ai.

"Mos e pezulloni projektin"

Qeveria i kërkoi Bankës Botërore "të mos e penalizojë Shqipërinë për shkak të problemeve të brendshme të saj". Ajo kërkoi që projekti për menaxhimin e bregdetit të jugut të vijojë dhe se "pezullimi i kredisë së BB ka pezulluar edhe fondet e donatorëve të tjerë". Bode kërcënoi se "qeveria do ta financojë vetë projektin" në rast se BB vendos ta anulojë atë tërësisht.

Projekti me vlerë 38 milionë dollarë, financohet me një kredi prej 17.5 milionë dollarësh nga Agjencia Ndërkombëtare e Zhvillimit, (IDA), ndërkohë që rreth 20 milionë dollarë janë dhënë nga donatorë të tjerë. Me pezullimin e kredisë IDA, pezullohen edhe fondet e donatorëve të tjerë.

Shqetësimi i qeverisë në këtë pikë duket i pavend dhe kërcënimi, i pavlefshëm, për shkak se Banka Botërore nuk e ka vënë kurrë në diskutim anulimin e projektit. Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë ka deklaruar se do të vendosë nëse projekti ekzistues do të vijojë pa komponentin e planifikimin urban ose do të nisë si një projekt i ri.

Qeveria është "e shqetësuar" edhe për faktin se nëse kredia aktuale e butë do të anulohet, atëherë vendi ynë do të detyrohet të marrë nga BB kredi me terma tregtarë. Projekti për Menaxhimin e Bregdetit të Jugut "është shumë i rëndësishëm", - thotë qeveria, për shkak se përmes tij parashikoheshin të ndërtoheshin rrugë, porte, infrastrukturë për përpunimin e mbetjeve etj. "Pezullimi zvogëlon në mënyrë thelbësore aftësinë e qeverisë për të arritur objektivat e zhvillimit dhe për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm të këtij aseti të rëndësishëm", thotë qeveria. Sipas saj, qeveria e Shqipërisë nuk mund të penalizohet nga dështimet e stafit të bankës.

"Për shkak eksperiencës së shkëlqyer me planin për zhvillimin e bregut të jugut dhe entuziazmin në rritje të autoriteteve vendore mbi ushtrimet e planifikimit, qeveria mund të marrë përsipër financimin e këtyre planeve me burimet e veta", shkruhet në letër.

Ekspertët

U është mohuar procesi gjyqësor i paanshëm. Nuk janë fajtorë për mungesën e planeve rregulluese

Argumentet ligjore, pro banorëve të Jalit

Ekspertë ligjorë bëjnë të ditur se baza ligjore shqiptare dhe ndërkombëtare është e mjaftueshme për të kërkuar kompensimin e shtëpive të prishura në Jal, ndërsa kjo çështje "vë në dyshim vetë ligjshmërinë e policisë ndërtimore dhe procedurave të saj". Sipas ekspertëve të kontaktuar nga "Shqip", dy janë argumentet bazë për këtë çështje: "Mungesa e një procesi të ndershëm ligjor", gjë që përbën shkelje të Kushtetutës dhe të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe "fakti që një pjesë e ndërtimeve pa leje janë rrjedhojë e mosveprimeve të organeve shtetërore në njëzet vitet e fundit".

Policia ndërtimore punon në bazë të një ligji që e lejon të shembë ndërtimet që i konsideron pa leje, pa pasur nevojë për administrimin e një procesi ligjor paraprak. Në rastin e Jalit, urdhri për prishjen e ndërtimeve pa leje iu njoftua banorëve pasi qe marrë, pa i dëgjuar ato më parë.

Argumenti i dytë lidhet me faktin se çfarë nënkupton një "ndërtim pa leje". Ligji "Për Urbanistikën" i vitit 1998 vendos një dallim të qartë mes "ndërtimit pa leje brenda rregullave urbanistike" dhe ndërtimit pa leje në tokë të zaptuar dhe jashtë rregullave urbanistike. Për kategorinë e parë, një pjesë e shtëpive të shembura në Jal, janë thjesht kundërvajtje administrative. Banorët e Jalit thonë se e kanë diskutuar çështjen me ish-ministrin e Drejtësisë, z.Spiro Peçi, i cili u ka shpjeguar se ndërtime të tilla mund të shemben vetëm pasi të shihet se "bien ndesh me planet urbanistike". Duke qenë se për Jalin nuk ka pasur dhe nuk ka një plan të tillë, banorëve u lind e drejta të kërkojnë dëmshpërblim.

Gjykatat shqiptare nuk janë përballur kurrë me një çështje të tillë, por përballë avokatëve të paguar nga Banka Botërore, çdo gjë është e mundur, sipas ekspertëve. Për më tepër, Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të BB ka vendosur të emërojë një mbikëqyrës të pavarur, i cili do të vëzhgojë palët për të garantuar një zgjidhje të drejtë. Praktikat e policisë ndërtimore mund të përballen me të drejtën kushtetuese të një procesi gjyqësor të rregullt, masë që mund të vërë në dyshim ekzistencën e kësaj strukture në të ardhmen.

Policia ndërtimore u krijua në vitet ‘90 për të administruar ndërtimet pa leje në të gjithë vendin. Ajo u fuqizua në vitin 1998 për t‘u marrë me kioskat dhe ndërtimet e tjera të paligjshme që patën zaptuar lulishtet. Kjo polici ka më shumë fuqi ligjore sesa vetë Policia e Shtetit në rastin e Shqipërisë, sepse mund të lëshojë tituj ekzekutivë. Me gjithë fuqitë ligjore, të policisë së ndërtimit, sërish vendi ka 220 mijë ndërtime pa leje. Në këtë kategori, përfshihen edhe shtëpitë e ndërtuara nga fshatarët në toka të veta. Një pjesë e banorëve të Jalit ishin të tillë.

PS i kërkon

ndjesë BB për

gabimet e qeverisë

Partia më e madhe e opozitës i kërkoi dje publikisht ndjesë Bankës Botërore për qëndrimet e papërgjegjshme të qeverisë shqiptare lidhur me projektin dhe me vetë Bankën Botërore. "Është fatkeqësi e madhe që Sali Berisha dhe oborrtarët e tij vazhdojnë avazin e vjetër të luftës me çdo institucion vendas e të huaj që u thotë të vërtetën", u shpreh anëtari i asamblesë së PS-së, Ilir Gjoni. Sipas tij, Banka Botërore ka folur qartë dhe ka treguar me transparencë pse e si është krijuar skandali i Jalit. Për të cilin, shtoi ai, përgjegjësia kryesore bie mbi qeverinë e mbi koordinatorin i projektit që është dhëndri i Berishës. "Ministri Bode duhet të ndihet në turp që njëherë thotë një gjë e njëherë një tjetër, vetëm për të fshehur atë që duket qartë dhe që është dështimi i një projekti, i cili nga një kombëtar u kthye në një projekt familjar me dëm ekonomik e moral për Shqipërinë", insistoi Gjoni.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›