E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrësi hap sezonin turistik në Gjirin e Lalëzit

09/06/2010 Një zonë tërheqëse për turistët

DURRES- Është çelur dje në Durrës sezoni i ri turistik në një nga zonat më të pastra në të gjithë bregdetin e qarkut. Qindra qytetarë kanë vërshuar drejt Gjirit të Lalëzit për të qenë pjesë e programit “Ishmi 2010”. Gjiri i Lalësit është një ndër zonat më pak të frekuentuara dhe me plazhe pothuajse të virgjëra. Në plazhin e Shën Pjetrit të komunës Ishëm drejtues të pushtetit vendor, deputetë, pushues dhe banorë të zonës kanë marrë pjesë në aktivitete të shumta të organizuara që nga lojërat me dorë si biçvolej, minifutobll, hipizëm e deri tek ekspozita. Çeljen e sezonit e kanë vlerësuar edhe deputetët Nasip Naço, njëherësh zëvendëskryetar i Kuvendit, deputetet Igali Cara, Lefter Koka, Osman Metalla dhe përfaqësues të Ministrisë së Kulturës. Komuna e Ishmit ka një vijë bregdetare të shfrytëzuar për pushime verore në gjatësinë prej 28 km dhe me gjerësi që shkon nga 200 deri në 300 metër në zonën e rërës. Komuna e Ishmit gjendet në pjesën veriore të qarkut të Durrësit dhe për të shkuar në plazhin e Gjirit të Lalësit për ata që udhëtojnë nga Durrësi e Tirana do të duhet të marrin drejt detit në Maminas. Rruga nga autostrada Tiranë-Durrës deri në Gjirin e Lalësit është shtruar e gjitha, duke krijuar të gjitha lehtësitë për qarkullimin e mjeteve. Përveç plazheve shumë të pasura e të pastër në rrëzë të kodrave të buta dhe të larta Ishmi ofron edhe turizëm kulturor. Në këtë fshat gjendet Kalaja mesjetare dhe varri i piktorit të famshëm Ibrahim Kodra, figura e fundit e kubizmit në këtë gjini. Komuna Ishëm ka një peizazh të rrallë, pyjet, bimësinë, plazhet e shumta, faunën e detit dhe tokës, liqeni i Tarinit, mjaft i veçantë, monumentet e kulturës etj. Kryetari i komunës së Ishmit, Gëzim Ylli, ka thënë se shumë shpejt plazhi në veri të Durrësit do të tërheqë qindra e mijëra pushues nga Tirana, Durrësi dhe Kosova.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›