E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vodafone me jetimët e Shkodrës për një jetë më të mirë

02/06/2009  U shpërndahen dhurata të paharruara fëmijëve

SHKODËR- Një qershori është Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve e përkujtuar si e tillë në mjaft vende të botës. Me këtë rast shkollat dhe institucionet në të gjithë Shqipërinë, kanë organizuar aktivitete zbavitëse e kulturore. Në fakt, kjo ditë simbolikë na shërben për të rikujtuar se të drejtat e fëmijëve janë universale, të padiskutueshme dhe të shenjta. Gjithashtu na jep mesazhin se fëmijët, kudo ku ata jetojnë, duhet t’ju sigurohen e garantohen burimet ekonomike, juridike dhe arsimore për një fëmijëri të shëndetshme e për një të ardhme sa më të sigurt. Patjetër që përtej këtij këndvështrimi pothuajse ideal të mbrojtjes dhe garantimit të të drejtave të fëmijëve, ekzistojnë jo pak probleme, të cilat edhe në Shqipëri, pasqyrohen dhe adresohen nga mjaft organizma shqiptare e të huaja. Mund të pyesim për shembull, mbi fëmijët jetimë, për kushtet shpeshherë të vështira të jetesës dhe problemet me të cilat ata përballen gjatë rritjes së tyre. E kësaj natyre është edhe puna e Shoqatës Kombëtare të Jetimëve Shqiptarë, e cila ka një përvojë 18-vjeçare në përkrahjen dhe ndihmesën ndaj fëmijëve jetimë në të gjithë Shqipërinë. Ne muajt e parë të këtij viti, kjo shoqatë gjeti aprovimin dhe mbështetjen e Fondacionit Vodafone Albania për nisjen e një projekti me afat tre mujor që do të rezultonte në përmirësimin e kushteve të jetesës në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër. Nga verifikimet e para të kryera në këtë institucion, ku aktualisht jetojnë 48 fëmijë, u nxorën në pah mjaft probleme, si mungesa e ngrohjes, e ujit të pijshëm dhe ambienteve të tjera higjieno-sanitare shumë të domosdoshme për një jetesë normale. Është pak të thuhet që këta fëmijë, të meritojnë kushte sa më normale jetese. Pas vlerësimit te kushteve dhe situatës në këtë institucion, Fondacioni Vodafone Albania shprehu angazhimin të mbështesë projektin e propozuar nga Shoqata Kombëtare e Jetimeve me një shumë prej 1.250.000 lekësh, shumë e cila do përdorej për të përmirësuar kushtet e jetesës të jetimores së Shkodrës dhe për të krijuar një mjedis të ngrohtë, familjar dhe sa më të përshtatshëm. Në aktivitetin e organizuar me rastin e përurimit të përfundimit të projektit, i cili edhe koincidoi me festën e fëmijëve, morën pjesë skuadra e Fondacionit Vodafone Albania, pjesëtarë të shoqatës së jetimëve, përfaqësues të pushtetit lokal dhe të tjerë miq të ftuar. “Është kënaqësi që urimet tona për të gjithë fëmijët sot t’i bëjmë nga Shtëpia e Jetimeve në Shkodër, është përgjegjshmëri e jona të jemi të ndjeshëm ndaj atyre që marrin më pak kujdes e vëmendje se femijët e tjerë dhe me aq shumë nevoja”, tha z. Albi Greva gjatë ceremonisë së festës së organizuar. Festa u mbyll nën tinguj këngësh e dhuratash që skuadra e Fondacionit Vodafone kish përgatitur për ta. Edhe pse ka vetëm një vit prezencë në Shqipëri, Fondacioni Vodafone Albania ka treguar më tepër se një herë ndjeshmërinë dhe përkushtimin e saj ndaj grupeve më në nevojë të shoqërisë shqiptare, duke financuar rreth 20 projekte anembanë vendit, që prekin fusha të ndryshme, përfshirë arsimi, shëndetësia, grupet vulnerabël, mjedisin etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›