E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vodhi lokalin para tre vitesh, zbulohet



Pogradec – Komisariati i Policisë së Pogradecit, në bashkëpunim me Institutin e Policisë Shkencore, ka bërë të mundur zbulimin e autorit të vjedhjes së lokalit të Çelnik Jahos, ngjarje e ndodhur në datën 05.07.2006. Sipas të dhënave të policisë për gazetën “Albania”, autori i kësaj vjedhjeje është shtetasi Spartak Lulo, banues në Pogradec. Aktualisht, ai ndodhet i arrestuar për veprën penale ”Vjedhje e kryer në bashkëpunim”, e parashikuar nga Neni 134/2 i Kodit Penal.

Identifikohet e moshuara e mbytur në lumin Drin

TIRANË - Identifikohet 70-vjeçarja që u gjet e mbytur rreth orës 9:00 të mëngjesit të ditës së djeshme, në ujërat e lumit Drin, te hyrja e qytetit të Shkodrës. Burime nga policia e Shkodrës bëjnë të ditur se bëhet fjalë për shtetasen Servete Jegeni, banuese në qytetin e Shkodrës në lagjen “Naim Gjylbegu”. Trupi i pajetë i të moshuarës në rrjedhjen e ujërave është gjetur nga peshkatarët, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë e Shkodrës. Uniformat blu kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje për të bërë të mundur nxjerrjen e viktimës nga ujërat e ftohta. Në këtë aksion janë përfshirë edhe peshkatarët me mjetet e tyre të peshkimit. Trupi i pajetë i 70-vjeçares është dërguar menjëherë në Morgun e Spitalit Rajonal të Shkodrës, ku u identifikua nga familjaret e saj. Ende nuk dihen rrethanat e mbytjes së të moshuarës në këto ujëra, ndërsa policia po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

Fshihte armë në banesë, i gjendet edhe fitil zjarri

Durrës – Fshihte armë në banesën e tij, por gjatë kontrollit nga policia ka rezultuar se mbante edhe fitil zjarrpërcjellës. Të dhënat u bënë të ditura për gazetën nga uniformat blu të qytetit bregdetar. Sipas tyre, policia e Durrësit ka arritur të kapë në flagrancë shtetasin Ramazan Ferhati, banues në Maminas të Durrësit, pasi iu gjendën në banesë një armë zjarri automatik, një karikator me 16 copë fishekë automatiku, si edhe 4 copë fitili zjarrpërcjellës. Materialet i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprën penale “Mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, të parashikuar nga Neni 278/2 i Kodit Penal.

E pa të hynte fshehurazi në oborrin e tij, e godet me sëpatë

Durrës – E ka parë të shkelë fshehurazi në oborrin e tij dhe nuk ka pritur fare sqarim, por e ka goditur menjëherë me sëpatë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Manzë të Durrësit, kur Mehdi Alimani, 56-vjeçar, goditi me mjete prerëse fqinjin e tij. Forcat e policisë së Durrësit bëjnë të ditur për gazetën “Albania” se Alimani dyshohet të ketë plagosur me mjet të fortë (sëpatë) 35-vjeçarin Gjergj Doda, edhe ky banues në Manzë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se Mehdi Alimani i ka kryer këto veprime në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme, pasi ka konstatuar të dëmtuarin në oborrin e shtëpisë së tij. Në fillim ata janë përleshur me njëri-tjetrin, më pas Mehdiu e ka goditur me sëpatë në kokë. Pas ngjarjes së ndodhur, autori u paraqit në Komisariatin e Policisë Shijak, ndërsa i dëmtuari përfundoi në Spitalin e qytetit të Durrësit ku vazhdon të marrë ndihmë mjekësore duke qenë jashtë rrezikut për jetën.

25 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›