BE: Misioni EULEX-i luan rol thelbësor në Kosovë
Blerina Olldashi
Kosova dhe gjithë rajoni kanë qenë më të qëndrueshëm gjatë vitit të kaluar dhe merita për këtë i takon EULEX-it. Kështu është shprehur gjatë një interviste Kristina Galak, zëdhënëse e përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Havier Solana. “Mendojmë se viti i kaluar ka qenë shumë i mirë për Kosovën dhe për rajonin. EULEX-i po luan një rol thelbësor. Ne vazhdojmë të kërkojmë nga Serbia që të bashkëpunojë me EULEX-in dhe po vendosim mekanizma të vërtetë”, - tha Galak, duke e vlerësuar si tepër të rëndësishëm bashkëpunimin e Beogradit me misionin EULEX. “Ne duam që Beogradi të sigurojë se të gjitha përkushtimet që ka marrë janë përmbushur dhe njëkohësisht do të vazhdojmë të punojmë me qeverinë në Kosovë. Përmes një përfaqësuesi personal në Beograd, që do të veprojë si një ndërlidhës në çështjet aktuale, ne jemi të bindur se do të mund të punojmë me autoritetet e Beogradit”. Përfaqësuesi i Solanës në Beograd, Peter Sorensen, i cili u emërua dje zyrtarisht në këtë post, sipas Galak, do të jetë ndërlidhës ndërmjet autoriteteve lokale rreth çështjeve aktuale. Ne mendojmë se duhet të adresohen të gjitha problemet sepse Serbia është një partnere e rëndësishme e BE-së, aq sa edhe Kosova është partnere e BE-së”.
E pyetur se çfarë kanë kërkuar ministrat e Jashtëm të BE-së nga Kosova në vitin e parë të pavarësisë, Galak u shpreh: “Jemi shumë të bindur se Kosova dhe në përgjithësi rajoni janë më të qetë sot sesa vitin e kaluar. Për këtë arsye jemi të kënaqur me procesin që është zhvilluar në periudhën e fundit. Megjithatë, është e vërtetë se situata në Kosovë nuk është ashtu siç do të donim të ishte”. Sipas saj, të paadresuara kanë mbetur shumë çështje ekonomike, çështje që kanë të bëjnë me rendin dhe ligjin. “Ka një numër të madh çështjesh që duam të shohim se Kosova po i përmbush, dhe për këtë arsye ne jemi atje për të ndihmuar. Në terren ne jemi të angazhuar fuqishëm përmes EULEX-it, përmes zbatimit të konferencës së donatorëve. Nga autoritetet në Kosovë pritet më shumë. Por unë jam e sigurt se ato do të përmbushin ambiciet e qytetarëve të Kosovës”,- ka përfunduar Galak.
25 Shkurt 2009