E Shtunë, 31 Tetor 2026

Derbi degjeneron në grushte dhe shkelma

Dash Frashëri

Kualifikim i Dinamos në fund të 90 minutave të dyta (0-0), por dhe shfaqje grushtesh e shkelmash midis dy kampeve të lojtarëve, ku në epiqendër të “ringut” nuk mund të ishte askush tjetër përveç anësorit të Dinamos, kavajasit Bekim Kuli, ish-lojtar i Partizanit dhe protagonist i më shumë se 20 faullave ndaj futbollistëve të Likës.
Trajneri i Partizanit hodhi në fushë një formacion me orientim tërësisht sulmues (preferoi Bakaj-Malindi, Abilaliaj u fut në pjesën e dytë) për të shënuar golin e munguar sa më shpejt, ndërkohë që tekniku i Dinamos, Ilir Daja, krijoi një “brez të hekurt” mbrojtjeje para katërkëndëshit të Elvis Kotorit.
Dinamo luajti topin e parë në “Qemal Stafa” , por ishte Partizani që, pas veprimeve të bukura të Malindit, dhuroi edhe momentin më të bukur të ndeshjes, kur Elis Bakaj në minutën e 15-të goditi traversën e Dinamos.
Një seri faullash (ndoshta strategji e Dinamos për të vonuar lojën) japin shfaqjet e para të dyluftimeve të forta dhe sinjalin se midis dy skuadrave që kryesojnë bindshëm Superligën nuk do të kishte asnjë minutë paqe. Kuli, Abraham, Poçi, Bodrusiç, Pejiç, Pollozhani shkaktuan më shumë se 3 faulla secili, ndërkohë që gjyqtari ndërkombëtar Albano Janku nuk denjoi të nxirrte të paktën një karton të kuq pas 5 kartonëve të verdhë: 3 për Dinamon (Poçi, Pollozhani, Kuli) dhe dy për Partizanin (Malindi, Pinari).
Partizani u përpoq shumë, por gafat e lojtarëve të Likës falën Dinamon (jo shumë të mësuar në tapetin e “Qemal Stafës”). Kronika e lojës është tërësisht e kuqe: në të 63’ Malindi goditi jashtë kuadratit, në të 64’ Muzaka ishte pranë golit dhe në të 78’, Abilaliaj bën më të vështirën kur gjuajti me kokë mbi traversë një top që duhet të pushonte në rrjetë.
Partizani, edhe pse zhvilloi një lojë me ritëm (por dhe me nervozizëm për shkak të provokimeve të dinamovitëve), nuk arriti të shënojë dy golat e nevojshëm për të përmbysur dizavantazhin 1-3 të ndeshjes së parë. Gjithsesi edhe Dinamo rrezikoi me Pollozhanin në pjesën e parë, por edhe në fund kur Shehi doli në mënyrë të gabuar.
Partizanit, 15 herë fitues dhe rekordmen i Kupës së Shqipërisë, tashmë i duhet të angazhohet plotësisht në kampionat, ndërsa Dinamo regjistroi kualifikimin e 12-të kundrejt 10 të Partizanit dhe pjesëmarrjen për herë të 30-të në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, në 51 edicionet që ka marrë pjesë.
Dinamo gjatë rrugës së saj eliminoi Dajtin (2-0, 3-1), Apoloninë (1-0, 3-3) dhe Partizanin (3-1, 0-0).

Xhani

Presidenti i Partizanit, Albert Xhani: “Na ndëshkoi Zoti. Nuk ishim me fat. Do të kërkojmë të ruajmë vazhdimësinë në ndeshjet e tjera. Ne do të vazhdojmë kështu me ndihmën e Zotit e me forcat tona. Nuk bëjmë kompromise apo pazare siç bëjnë të tjerët”.

Daja
Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, tha: “Unë i falënderoj çunat për lojën që treguan. Zhvilluam një ndeshje të mirë. Grushti i Devollit? Do të ngre një padi ndaj tij shumë shpejt”.

Lika
Trajneri i Partizanit, Lika: “Incidenti nuk duhej të ndodhte, ishte diçka e shëmtuar. Ne u përpoqëm të ruanim qetësinë, por nuk ia arritëm”.

Detajet e sherrit, grushte trajnerit dinamovit

Derbi i kryeqytetit degjeneroi në grushte. Sinjalet u dhanë në fushë (mbi 60 faulla në total), por dufi i grumbulluar u shfry menjëherë pasi gjyqtari i FIFA-s, Janku, i fryu tri herë bilbilit që solli edhe përfundimin e ndeshjes dhe kualifikimin e Dinamos.
Shkëndija e “zjarrit” u dha pas një debati të ashpër midis mbrojtësit të Partizanit Luan Pinari dhe mesfushorit kroat të Dinamos, Goran Vinçetiç, për shkak të një faulli të rëndë të lojtarit të Dinamos. Në këtë moment, në fushë ndërhyri Bekim Kuli që goditi Pinarin me bërryl në kokë. I menjëhershëm ishte kundërreagimi i Bledar Devollit, i cili nuk i kurseu grushtet dhe shkelmat ndaj provokatorit Bekim Kuli. Pas këtij momenti, në “ring” u përfshinë të 36 lojtarët e thirrur nga dy trajnerët në derbi, të cilët kanë grushtuar e qëlluar kundër njëri-tjetrit për më shumë se 5-10 minuta. Një goditje “shembullore” mori edhe trajneri i Dinamos, Ilir Daja, nga një fanellë e kuqe: një shkelm në bark dhe një grusht në kokë. Grindja degjeneroi plotësisht dhe policia e kryeqytetit reagoi menjëherë. Ishte portieri i dytë i Dinamos, Alban Hoxha, ai që rriti sërish temperaturën, kur pasi dështoi në goditjen e Devollit e përfundoi krahun kundër një uniforme blu. Sherri nga tapeti i gjelbër vazhdoi raundin e dytë në dhomat e zhveshjes, por falë ndërhyrjes energjike të policisë nuk pati të gjakosur.

Mema i kënaqur, kualifikimi formalitet

Tirana, edhe pse barazoi 1-1 me Kastriotin, nuk e pati të vështirë kualifikimin, kjo falë fitores 3-0 në ndeshjen e parë me krutanët, duke siguruar pjesëmarrjen për herë të 29-të në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë.
Kampionët në fuqi dhanë sinjalin e parë me Florenc Arapin në minutën e 6-të, kur sfera e goditur prej tij përfundoi pak centimetra mbi trekëndëshin e portës krutane të mbrojtur nga ish-portieri i Tiranës, Glendi Tafaj.
Fantazisti veteran i Tiranës, Devi Muka, ende jo i rikuperuar plotësisht, ndodhej në tribunën Vip të “Selman Stërmasit” (rreth 200 shikues), por në fushën e lojës mbretëroi loja plot zgjuarsi e talentit 20-vjeçar të Kombëtares Jahmir Hyka. Lojtari i Shpresave, Erbim Fagu, dha një pas të artë dhe Hyka e shndërroi në gol në minutën e 13-të.
Kastrioti (pa president) mbërriti në kryeqytet me pesë ish-lojtarë të rritur te Tirana apo që kanë veshur fanellën e saj, Grami, Turdiu, Kalari, Sokol Bulku e Rizvanolli, ku ky i fundit shënoi edhe golin për ekipin e Ramadan Ndreut.
Tirana, 19 herë finaliste dhe 13 herë fituese e Kupës, ka qenë një nga ekipet me më shumë fat gjatë rrugës së saj. Eliminoi në turin e parë Butrintin (2-2, 4-2), në të dytin Laçin (1-1, 3-1) dhe në turin e tretë Kastriotin (3-0, 1-1). Gjysmëfinalet e edicionit të 56-të të Kupës së Shqipërisë do të luhen në datat 9 dhe 23 prill dhe shorti do të jetë i lirë. Finalja do të luhet më 7 maj në një fushë asnjanëse.

Haxhiosmanoviç këmbëmbarë, Fortunat në spital

Vllaznia e trajnerit Haxhiosmanoviç shkatërroi 5-1 Besën e Kavajës, që luajti për më shumë se 50 minuta me nëntë lojtarë pas largimit me karton të kuq fillimisht të kapitenit Andi Lila dhe më pas të mbrojtësit shqiptar nga Maqedonia, Zekeria Ramadani. Takimi i parë kishte përfunduar në Kavajë 2-2 dhe rezultati i përgjithshëm shkoi në 7-3 për formacionin e presidentit Fushaj.
Pas anulimit të golit të Besës të shënuar nga haitiani me pasaportë franceze Herbi Fortunat, erdhi goli i realizuar nga kongolezo-gjermani Sasa Delain në të 22’.
Pjesa e parë e takimit u mbyll me rezultatin 1-0, ndërkohë që fraksioni i dytë kishte tërëissht ngjyra kuqeblu. Mesfushori i avancuar Albert Kaçi dyfishoi shifrat për Vllazninë në minutën e 50-të. Shqiptari nga Maqedonia, Artimi Shaqiri, fitoi penallti në minutën e 54-t, të cilën e realizoi po vetë duke i dhënë shpresë trajnerit të Besës, Sulejman Starova, për ta çuar të paktën ndeshjen në shtesa.
Llogaritë e presidentit Bizhdili ranë përfundimisht kur sulmuesi i Kombëtares U-21, Xhevair Sukaj, realizoi golin e tretë në minutën e 63-të, për t’i lënë radhën kosovarit Jusufi për të shënuar dy gola rresht në limitin e ndeshjes: 88’ dhe 91’, duke i siguruar Vllaznisë një fitore 5-1 dhe njëherësh një vend në katër më të mirat e Kupës.
Me Vllazninë bëri debutimin edhe mbrojtësi i Kombëtares, Elvin Beqiri, i cili zëvendësoi kongolezo-gjermanin Sasha Delain, i cili u largua mes duartrokitjeve. Beqiri nuk aktivizohej në një ndeshje futbolli prej më shumë se 10 muajsh pas thyerjes së këmbës në kampionatin ukrainas.
Vllaznia, pesë herë fituese e Kupës së Shqipërisë, arriti fitoren e tetë direkte në 18 ndeshjet kundër Besës nga përballja e parë në vitin 1972, si dhe regjistroi kualifikimin e tetë kundrejt 1 të kavajasve.
Skuadra shkodrane merr pjesë për herë të 25-të në gjysmëfinale, ndërkohë që Vllaznia ka marrë pjesë 11 herë në finale. Gjatë rrugës së saj për të zënë një vend midis katër më të mirave të Shqipërisë, Vllaznia eliminoi në turin e parë Naftëtarin (3-2, 6-1), në turin e dytë Besëlidhjen (1-0, 0-0) dhe tani në të tretin Besën (2-2, 5-1).

Fushaj: “Asnjë preferencë për kundërshtarin”

Presidenti i Vllaznisë, Fushaj, mbeti shumë i kënaqur nga kualifikimi, por nuk e konsideroi se kjo ishte një meritë e trajnerit malazias. “Ai ka vetëm tri ditë në bankinë, por besoj se ka qenë këmbëmbarë. Vllaznia në Europë? Pse jo, rruga është e hapur. Debutimi i Elvin Beqirit? Një plus i madh për Vllazninë, presim të jetë 100 për qind i gatshëm pas dy ndeshjesh. Preferenca për kundërshtarin në gjysmëfinale? Mendoja për Teutën, por tani që Elbasani u kualifikua të gjitha skuadrat janë të barabarta, për më tepër që është short i lirë”, - përfundoi presidenti i Vllaznisë.

Sëmuret Herbi
Sulmuesi i Besës, Herbi Fortunat, pati dhembje të forta barku në përfundim të pjesës së parë dhe u çua urgjentisht në Spitalin e Shkodrës nga dhomat e zhveshjes së Besës.

Kupa e Shqipërisë
Çerekfinalet
Ndeshjet e kthimit

Tirana-Kastrioti 1-1
Nd.I 3-0, Rez.për: 4-1
Kualifikohet Tirana

Vllaznia-Besa 5-1
Nd.I 2-2, Rez.per: 7-3
Kualifikohet Vllaznia

Teuta-Elbasani 2-2
Nd.I 1-1, Rez.për: 3-3
Kualifikohet Elbasani

Partizani-Dinamo 0-0
Nd.I 1-3, Rez.për: 1-3
Kualifikohet Dinamo

Gjysmëfinalet
9-23 prill 2008

Finalja
7 maj 2008

Elbasani në ekstazë, hesht Teuta

Sulmuesi shqiptar nga Maqedonia, Ardian Nuhiu, e çoi në delir presidentin e Elbasanit, Arben Laze, kur “Nuhiu i vogël” vendosi ekuilibrat në fushë me golin e tij të minutën e 79-të, që vulosën edhe shifrat 2-2 në takimin e kthimit të Kupës së Shqipërisë, Teuta-Elbasani, të zhvilluar në “Niko Dovana” (rekord sezonal shikuesish). Talenti tiranas i durrsakëve, Vilfor Hysa (9’), realizoi shumë shpejt golin e parë për Teutën, pas pasit të artë të Emiliano Vilës. Pas gjashtë minutash, Hysa dha një asist për të riun, Ermal Gega, duke dyfishuar shifrat në minutën e 15-të.
Me një avantazh të përgjithshëm 3-1, duke marrë në konsideratë edhe barazimin 1-1 në “Ruzhdi Bizhuta”, formacioni i Kristaq Miles vuajti më pas nga përvoja e pakët dhe mosha e re.
Shqiptaro-maqedonasi Arben Nuhiu (“i madhi”) goditi fillimisht shtyllën si për të paralajmëruar furtunën e Elbasanit. Kapiteni Julian Ahmataj shkurtoi diferencën në minutën e 37-të, për të rritur shpresat për një kualifikim për në katër më të mirat. Pas një rrjete të jashtme të Ahmatajt, Nuhiu (“i vogli”) me zgjuarsi barazoi shifrat që prodhuan edhe kualifikimin për herë të 9-të në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Elbasani, 2 herë fitues (1975, 1992), eliminoi gjatë rrugës së tij në turin e parë Tomorin (0-0, 7-2), në turin e dytë Shkumbinin (0-2, 3-0) dhe në të tretin Teutën (1-1, 2-2).

13 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›