E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ikën Mançini, Murinjo në “pol-position”

“Mançini mos u largo, qëndro me ne dhe fito Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm”, - kjo është lutja që i bën padroni zikaltër Masimo Morati, trajnerit aktual të Interit Roberto Mançini, i cili bëri të ditur edhe largimin e tij nga kampionët e Italisë në përfundim të Serisë A pas dështimit në Champions me Liverpulin.
Në fakt, Morati u tregua shumë i ashpër me Mançinin pas eliminimit, deklarata që u bënë më pas publike në mediat italiane dhe tërë botën.
Fjalët e Roberto Mançinit në fundin e ndeshjes Inter-Liverpul ndoshta kanë befasuar edhe më skeptikët në kampin e zikaltërve se trajneri aktual do të largohej pas pak muajsh. Kështu, deklarata e teknikut se do të mbyllte aventurën më shpejt, sesa kontrata që skadon në vitin 2012 me kampionët e Italisë, ka hapur indirekt edhe ankandin për pasuesin e tij në skuadër.
Kandidatura e parë dhe me më shumë sponsorë nga të gjithë është ajo e 45-vjeçarit Murinjo, një i papunë luksi pas ndarjes me Çelsin. Vlerësime të ndërsjella mes presidentit Morati dhe trajnerit portugez kanë mbizotëruar shumë herë megjithëse dy personazhet në fjalë nuk janë takuar asnjëherë. Martesa Inter-Murinjo mund të bëhet dhe aspekti ekonomik nuk është një problem.
Portugezi kishte një pagë totale prej 7 milionë eurosh nga manjati rus Abramoviç dhe Morati mund të besojë financimet e tij në një karakter fitues. Një alternativë tjetër, edhe pse më pak e mundshme, është ajo e spanjollit Benitez, që shijoi suksesin pikërisht ndaj Interit.
Trajneri i Liverpulit pëlqehet nga zikaltërit për një futboll konkret që Mançinit i mungoi mbrëmjen e së martës. Në minilistën e Interit ndodhet edhe Cezare Prandeli, megjithëse tashmë për afrimin e Murinjos nuk duket të ketë pengesa.
Por është vetë Morati, i cili dëshiron të mbyllë çdo shteg në lidhje me “merkaton” e trajnerit. “Unë pata një bisedë me Mançinin, duke i thënë atij se unë dëshiroj të qëndrojë gjatë kohës së kontratës së tij dhe të fitojë Ligën e Kampioneve për
sezonin e ardhshëm”, - tregon Morati. “Vendimi i Moratit më befasoi. Ishte një shok i vërtetë. Por unë besoj se ai do të ndryshojë mendim. Nëse ai do të largohet me çdo kusht, ne do të shohim alternativa”.

“Tri dëshirat” e miliarderit Berluskoni

Presidenti i Milanit, Silvio Berluskoni, dëshiron tre emra të Realit të Madridit: Pepe, Serxho Ramosh dhe Robinjo. Bosi kuqezi ka bërë planin dhe paratë për të bindur drejtuesit e klubit madrilen. Lajmi jepet nga gazeta sportive spanjole “El Mundo Deportivo”. Milani po vuan nga lojtarë që janë në mes të viteve 30 të tillë si Serxhinjo, Kafu, Xhuzepe Favali dhe Nelson Dida. Pepe shikohet si një zëvendësues i Maldinit, për të formuar edhe mbrojtjen e sezonit të ardhshëm përkrah Alesandro Nestës dhe Kaka Kaladzes.

Uilkins: “Meritë e trajnerëve të huaj”

Suksesi i katër ekipeve angleze në Ligën e Kampioneve ka befasuar jo pak botën sportive, kur nga tetë më të mirat janë larguar kampioni në fuqi, Milani, apo favoritë të tillë si Real i Madridit dhe Interi. Uilkins, ish-mesfushori i Milanit, pohon se suksesi i anglezëve është meritë e trajnerëve të huaj. Çelsi drejtohet aktualisht nga izraeliti Avram Grant (në fillim të sezonit nga portugezi Murinjo), Liverpuli nga spanjolli Rafa Benitez dhe Mançester Junaitid nga skocezi Sër Aleks Ferguson. Uilkins shton se dhe lojtarët e mëdhenj si Didier Drogba, Cesc Fabregas, Fernando Torres e Cristiano Ronaldo kanë bërë diferencën.

Fabregas me kostum ari, 170 mijë euro në javë

Skuadra e Arsenalit po përgatitet të mbulojë me ar futbollistin spanjol Çesk Fabregas, duke e bërë futbollistin më të paguar në Premier Ligë. Joshjet e ekipeve të tjera për të marrë mesfushorin kanë sjellë dhe superofertën e ‘Topçinjve’ prej 170 mijë eurosh në javë për numrin 4 të londinezëve.
Katalanasi 20-vjeçar është bërë lideri i ri pas lënies së hapësirave nga largimi i Tieri Henri dhe me këtë avancim të drejtuesve do të bëhet futbollisti më i paguar në historinë e Arsenalit. Kontrata e Çesk Fabregas skadon në vitin 2013, por trajneri Venger preferon të mos rrezikojë në merkaton e verës, duke lënë në tavolinë marrëveshjen e re.
Për spanjollin janë interesuar shumë ekipe me emër si Barcelona, Inter apo Real Madrid, por ai ka refuzuar çdo përpjekje për ta larguar nga Arsenali. Nëse Fabregas do të pranojë kontratën e re, do të kalojë pagat e lojtarëve të tjerë si Kristiano Ronaldo, Stiven Xherrard apo Xhon Terri, ndërsa do të jetë më e lartë edhe se paga e francezit Henri tek Barça.

Lejkërs dhuron spektakël, 117 pikë

Finiks Sans kanë marrë një fitore me diferencë 21 pikë ndaj Memfis Grizlles, duke shënuar dhe suksesin e dytë radhazi për herë të parë që nga ardhja e Shak O’Nill. Miqtë nuk mundën të rezistojnë dhe këtë herë duke regjistruar humbjen e 17-të në 19 ndeshjet e fundit dhe ndaj Sans u dorëzuan që në periodën e parë dhe në një moment loje arritën në 39 pikë disavantazh.
Sukses edhe për Los Anxheles Lejkërs, që mposhtën në shtëpi Toronton, 117-108. Paraqitja e shkëlqyer e radhës erdhi nga Kobi Brajant me 34 pikë. Në ndeshjen tjetër Minesota-Portland u pa një lider i vërtetë si Brendon Roi, që udhëhoqi miqtë në një fitore 96-103. Minesota tregoi limitet e saj të eksperiencës, pavarësisht 12 pikëve të Xheferson në finale.
Bulls kanë konfirmuar synimet për hyrjen në plejof, pasi kanë mundur Juta Xhaz 108-96. Në sfidën e luajtur në Çikago, vendasit kanë përfituar nga puna nën kosh, nga Drju Guden, ndërsa Ben Gordon theu shpresat për përmbysjen e Juta në fund të lojës.

Plani sekret i Çelsit - ikën Lampard, afrohet Diego

E ardhmja e Frenk Lampard te skuadra e Çelsit është vënë në dyshim pas përpjekjeve të londinezëve për të financuar një transfertë që do të sjellë në ekip brazilianin Diego. Mesfushori i Verder Bremen kushton shumë, por milionat për largimin e Lampard mund të financojnë një pjesë të operacionit për 23-vjeçarin.
Burime nga klubi anglez thanë se pavarësisht se Frenk ishte një nga lojtarët më besnikë të Çelsit, drejtuesit nuk kishin dhënë asnjë shenjë për kontratën e re. Ai mund të largohet për një shumë modeste sipas ligjit Bosman, edhe pse ka një vit të mbetur në kontratë.
Duke u rikthyer te Diego, agjentët e Çelsit e kanë vëzhguar brazilianin kur Bremen humbi 2-0 në ‘Ajbroks’ javën e kaluar. Braziliani që u shpall futbollisti më i mirë i Bundesligës vitin e kaluar ka një kontratë deri në 2011-n me gjermanët, por këta të fundit nuk mund ta mbajnë nëse vjen një ofertë e mirë.

Renditja e FIFA-s, zbresim një vend

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka humbur një vend në renditjen e fundit të FIFA, duke u pozicionuar e 74-ta mes të gjitha shteteve. Edhe pse nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje në këtë periudhë kohore, zbritja e Shqipërisë një vend më poshtë ka ardhur pas përparimit të ekipeve të tjera në një nivel me kuqezinjtë.
Kombëtarja e drejtuar nga holandezi Ari Han ka aktualisht 416 pikë në renditje, duke lënë pas vende me futboll të tillë si Austria, Islanda apo Gjeorgjia. Ndërkohë pak vende para Shqipërisë janë Letonia, Kosta Rika apo kombëtarja irakiane.
Në renditjen e FIFA-s nuk kanë ndryshuar 14 vendet e para me dominimin e treshes latine Argjentinë, Brazil dhe Itali në podiumin prej tre ekipesh. Hondurasi është vendi që ka fituar më shumë pozicione, duke shkuar nga vendi i 43-të në të shtatin pas ndeshjeve të fituara. Në 50 vendet e para të renditjes botërore, skuadrat europiane zënë 27 vende mes më të mirave në futboll.

Meklaren-Ferrari, nis gara virtuale

Meklaren dhe Ferrari janë dy prej skuadrave që kanë zbarkuar në Australi, në përgatitjet e fundit për Botërorin e Formula 1 që do të startojë këtë fundjavë. Gjatë gjithë javëve të fundit në testet dimërore këto dy skuadra kanë treguar se do të jenë rivalet kryesore për titull, me Raikonen dhe Hamilton, që do të luftojnë në kategorinë e pilotëve.
“Mendoj se çdo vit unë do të jem më i vendosur dhe me më shumë besim tek aftësitë e mia”, - është shprehur Hamilton. “Vitin e kaluar mësova shumë dhe tani ndihem shumë mirë”.
Ai që do të ndihmojë Hamilton në luftën e tij për titull do të jetë finlandezi Heiki Kovalainen, por sipas shumë zërave spekulativë piloti i dytë i Meklaren mund të pësojë të njëjtin fat si Alonso, kur skuadra preferoi britanikun.
Por Kovalainen i ka hedhur poshtë të gjitha zërat dhe theksoi se do të kishte marrëdhënie të mira me Hamilton, pasi të dy do të luftojnë që të ndihmojnë Meklaren për të triumfuar në fund të Botërorit.
Të njëjtat pretendime ka edhe Ferrari që në drejtim të tij ka Zhan Tod, ndërkohë që pilotët janë të njëjtët, kampioni i botës Kimi Raikonen dhe Felipe Masa.
Sipas presidentit të Këshillit Administrativ të Ferrarit, Stefano Domenikali, ky Botëror mendohet të jetë i vështirë, si për pilotët dhe për skuadrën, sidomos pas ndryshimeve të reja në rregullore. “Presioni do të jetë më i madh këtë vit”, - është shprehur domenikani, - “Ferrari është një skuadër e madhe dhe grupi që punon këtu është shumë solid, kështu që unë kam besim te të gjithë ata që punojnë për Ferrarin”.

13 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›