Vodhi të ardhurat e KESH-it, dënohet me 2 vite burg arkëtari i Postës Shqiptare
Gjykata e Fierit dënoi shtetasin Namik Xhemalaj, ish-punonjës i Postës Shqiptare në Fier, pasi akuzohet se ka vjelë të ardhurat nga abonentët, por nuk i ka derdhur në llogari të KESH-it, por në xhepat e tij. Akuza për të pandehurin është “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, e parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal, duke e dënuar atë me 1 vit e 4 muaj burg, si dhe me 400 mijë lekë gjobë. Prokurorja e çështjes kërkoi dënimin me 3 vjet burg dhe 500 mijë lekë të reja gjobë, si dhe dënimin plotësues për “heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike” për një kohe prej 2 vjetësh. Avokatja e këtij të pandehuri kërkoi pezullimin e kësaj mase dënimi dhe vënien në provë të klientit të saj për këtë vit, dënim të kërkuar nga organi i akuzës. Vetë i pandehuri Namik Xhemalaj kërkoi mëshirë nga gjykata, duke deklaruar se është penduar për veprimet e kryera, ndërkohë që kjo çështje është zgjidhur duke aplikuar gjykimin e shkurtuar. Për këtë shtetas ka rezultuar se hetimet kanë nisur në bazë të kallëzimit të depozituar pranë organit të akuzës nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH). Nga përmbajtja e kallëzimit rezulton se Namik Xhemalaj, ish-punonjës i Postës Shqiptare, pas inventarizimit të bërë nuk ka depozituar në arkën e KESH-it shumën prej 1.722.908 lekësh të pagesës së faturave të energjisë elektrike të abonentëve që kanë likuiduar këto fatura. Duke qenë së për periudhën tetor 2005 - dhjetor 2007, nga ana e OSSH-së u konstatuan një numër i madh abonentësh debitorë, të cilët pretendonin se kishin paguar detyrimet e energjisë elektrike, në kundërshtim me të dhënat e sistemit të OSSH-së, nga ana e këtyre të fundit u ngrit një grup pune me synim inventarizimin e arkave në zonat e fshatit dhe saktësimin e debisë për të gjitha arkat e KESH-it dhe Postës Shqiptare. Nga grupi i kontrollit janë verifikuar një për një, në çdo shtëpi, të gjithë abonentët debitorë që figuronin në listat e periudhës së mësipërme, të cilët rezultuan të ishin banorë të fshatrave që ishin në kompetencën e arkëtarit Namik Xhemalaj, ku në këtë periudhë ka qenë ai arkëtari që mblidhte faturat e tyre. Nga kontrolli i librezave të tyre rezultoi se për periudhat në të cilat këta abonentë figuronin debitorë, librezat e tyre ishin të firmosura nga ish-arkëtari Namik Xhemalaj dhe për pasojë detyrimet rezultonin të paguara. Në përfundim të kontrollit është mbajtur një akt kontroll, sipas të cilit ka rezultuar se shuma e detyrimeve që arkëtari Namik Xhemalaj ka vjelë nga abonentët për këtë periudhë, por që nuk e ka pasqyruar në dokumentet përkatëse dhe për pasojë nuk e ka depozituar as në arkën e KESH-it, është 1.722.908 lekë. Nga studimi i tyre rezulton se i pandehuri Namik Xhemalaj, gjatë një periudhe rreth dyvjeçare, ka përvetësuar shuma në vlera nga 500-5000 lekë nga abonentë të ndryshëm, në muaj të ndryshëm, të cilat nuk i ka pasqyruar në listat e abonentëve që kanë shlyer detyrimet dhe as i ka depozituar në bankë për llogari të KESH-it, por i ka hedhur në dorë me qëllim për të nxjerrë përfitime materiale për vete. Gjykata në përfundim e dënoi me 1 vit e katër muaj burg e 400 mijë lekë të reja gjobë këtë të pandehur, si dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione shtetërore për dy vjet.
Somario
Nga kontrolli i librezave të tyre rezultoi se për periudhat në të cilat këta abonentë figuronin debitorë, librezat e tyre ishin të firmosuara nga ish-arkëtari Namik Xhemali, dhe për pasojë detyrimet rezultonin të paguara
Detaj
1.722.908 lekë është shuma e përfituar nga arkëtari i Postës Shqiptare