Vogëlushi zhduket në Tiranë, e kërkojnë në Prishtinë

Ka ardhur në Prishtinë, ta kërkojë djalin dhe gjëja e parë që Luze Cela bëri të hënën, sapo zbriti në stacionin e këtushëm të autobusëve, është shpërndarja e njoftimeve për Julianin, 10 vjeç.
Këtë të fundit e kërkoi në Tiranë e gjithandej nëpër Shqipëri qe 26 ditë, prejse u shpall i zhdukur, më 30 nëntor, në Laprakë.
“Në internet e kishin thirr dy persona, edhe I kish dal jashtë” ka thënë Luze Çela, nëna e Julianit.
Pasi kuptuan se Juliani nuk u kthye në shtëpi, nëna lajmëroi policinë. Ajo thotë se nuk është e kënaqur me punën e forcave të rendit në Tiranë.
“Nuk kanë dal me patrulla, nuk kanë kërkuar në kufij” ka thënë ajo.
Familjarët dyshojnë se djali la Tiranën me kosovarët që po ktheheshin në shtëpi pas festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
“Nuk them nga kosovarët por nga ata të Shqipërisë që vijnë në Kosovë” ka thënë Brikela Agolli, tezja e Julianit.
E dyshimet e nënës janë se djalin iu rrëmbye. E këtë e lidh me faktin që bashkëshorti i saj punon si nëndrejtor i antiterorit në Shërbimin Informativ Shtetëror të Shqipërisë.
“Mund të jetë që ata e kanë marrë vesh për punën e burrit edhe tash frikohen” ka thënë nëna e Julianit.
Familjarët thonë se janë të gatshëm të japin shpërblim për këdo që jep informata të vlefshme rreth Julianit./Indeksonline/