E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vojtek, ariu që shkoi në luftë

Rrëfimi është bizarë, por i vërtetë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, një ari zyrtarisht u përfshi në listën e ushtarëve të armatës së Polonisë dhe njoftohet se ai përjetoi edhe luftime të ashpra në Itali. Dekada pas përfundimit të luftës dhe ngordhjes së tij, ariu Vojtek vazhdon të nderohet.

Archibald Brown kishte parë shumë gjëra gjatë luftës-por asgjë të përafërt si kjo. Ishte mesi i shkurtit i vitit 1944 dhe kuriri i Marshalit britanik, Bernard Montgomery, ishte në portin e Napolit, për të ndihmuar në procedimin e një njësie të ushtarëve polakë, e cila sa po kishte arritur me anije nga porti egjiptian i Aleksandrisë, për të ndihmuar ushtarët britanikë në luftën kundër njësive gjermane dhe italiane. Në mesin e detyrave të tij të përditshme ishin edhe kontrolli i listave të ekuipazhit dhe bisedat me ushtarët, të cilat sa po kishin arritur. Por kjo nuk ishte një ditë tipike.

Brown tashmë kishte biseduar me të gjithë pjesëtarët e njësisë së re, kompanisë së 22-të për furnizimin e artilerisë së korpusit të dytë polak-përveç me njërin.

“Shikuam listën dhe kishte vetëm një person, ushtari Vojtek, i cili nuk ishte paraqitur ende”, kujton Brown në intervistën dhënë disa vite më vonë. Por dokumentet flisnin për atë se Vojtek ishte pjesëtarë i kësaj njësie. Dukej se ushtari në fjalë ishte zhdukur pa gjurmë.

Brown më pas sërish thirri emrin e ushtarit, por nuk kishte përgjigje. Prandaj ai pyeti ushtarët tjerë se pse Vojetku nuk po paraqitej. Një kolonel iu përgjigj duke qeshur:”Mirë, ai e kupton vetëm gjuhën polake dhe atë perse”. Më pas Brown u dërgua deri te një kafaz, në të cilin gjendej një ari siberian, pjesëtari më i popullarizuar i njësisë.

Dy vjet më herët, armata e Polonisë pranoi në radhët e veta me gjasë pjesëtarin më të pazakonshëm në historinë e saj. Edhe përkundër faktit se kanë kaluar 70 vjet, Vojtek kujtohet edhe sot, veprat heroike të së cilit jetojnë në rrëfimet dhe kujtimet e ushtarëve që shërbyen me të. Ai u bë i pazëvendësueshëm për bashkëluftëtarët e tij, jo për shkak se ishte një kafshë e egër, por për shkak se ai vërtet u bë një prej tyre.

Karriera e pazakonshme ushtarake e Vojtekut filloi në vitin 1942, në malet Alborz, në veri të Iranit. Legjenda thotë se një djalosh i ri nga provinca Hamadan kishte gjetur ariun e vetmuar, pasi që siç besohet, gjuetarët kishin vrarë nënën e tij. Djaloshi e mori ariun e ri në shtëpi, por në vjeshtën e vitit 1942, thuhet se ai ua shiti ariun ushtarëve polakë për një shumë të vogël parash, vetëm sa për të blerë ushqim për familjen.

Ushtarët ishin pjesë e së ashtuquajturës “Armata Anders”, e përbërë nga ish-rob polakë të luftës, të cilët Rusia i kishte liruar pasi që u sulmua nga Gjermania në vitin 1941. Në pjesën e dytë të vitit 1942, kjo njësi e polakëve u dërgua në Lindjen e Mesme, për të ndihmuar në zmbrapsjen e forcave gjermane që po avanconin.

Ariu i vogël shumë shpejt u bë i adhuruari i ushtarëve polakë. Ata e ushqenin ariun, ndërsa në këmbim, ai forconte moralin e tyre.

“Pritja miqësore për ushtarët që ktheheshin, shpesh herë tejet të lodhur, nga ana e Vojtekut ishte për ne një moment i rëndësishëm relaksues”, kujton Vojciek Narebski, një veteran polak, i intervistuar në vitin 2011.

Ushtarët kishin vuajtur shumë në kampet sovjetike të internimit dhe edhe tani ishin shumë larg familjeve dhe miqve dhe jetonin në kushte tejet të vështira. Për ta, Vojtek ishte burimi i vetëm i gëzimit.

Duke pasur shumë pak njohuri se si do të duhej të trajtohej një ari, ushtarët thjeshtë filluan ta trajtojnë Vojtekun si të ishte njëri prej tyre. “Ai ishte thjeshtë si një qen. Ai pinte birrë si një njeri dhe i pëlqenin edhe cigaret, të cilat thjeshtë i gëlltite”, kishte deklaruar në vitin 2008 veterani tjetër polak, Augustin Karolevski.

Edhe veterani Narebski kujtoi në intervistën e tij se si ariu e godiste vazhdimisht për t’i dhënë cigare dhe si e pinte birrën e tij. “Për një ari masiv si ai, një shishe birrë nuk ishte asgjë. Ai nuk dehej”, ka theksuar Narebski.

Por për një kohë të gjatë dukej se ushtarët do të ishin të detyruar të ndaheshin nga ariu i tyre. Më 14 prill të vitit 1944, ushtarët polakë shkuan në Egjipt, për të hipur në anijen e cila do të nisej drejt Napolit, ku njësia ishte paraparë që t’i bashkohej fushatës së aleancës në Itali. Zyrtarët e portit në Aleksandri refuzuan që të lejojnë ariun e egër që të hip në anije, duke theksuar se vetëm ushtarët mund të udhëtojnë.

Prandaj ushtarët improvizuan: ata me shpejtësi morën një autorizim nga zyra qendrore e ushtrisë në Kajro, duke e bërë ariun zyrtarisht ushtar. Ata e pagëzuan me emrin Vojtek, që në polonisht do të thotë “Luftëtari i buzëqeshur” dhe i dhanë një numër të shërbimit. Kjo funksionoi dhe Vojteku u lejua të hipë në anije.

Kur Vojtek arriti në Napoli, Archibald Brown, zyrtari britanik, me gjasë ka menduar se bëhej fjalë për ndonjë shaka. Por ariu-ushtar ishte ligjërisht pjesëtar i ushtrisë polake.

Por ariu dikur i vogël u rrit dhe u bë ari i madh, 1.82 metra i gjatë dhe 220 kilogramë i rëndë. Ushtarët polakë vendosën të shfrytëzojnë fuqinë e tij dhe e mësuan të bartë arka të mbushura përplot me predha të rënda të mortajave.

Një veteran britanik kujton se si kishte parë një ari duke tërhequr prapa vetës predha, gjatë betejës së përgjakshme në Monte Cassino, në pranverën e vitit 1944. Pa marrë parasysh se a është i vërtetë apo jo, rrëfimi për përkrahjen e Vojtekut në këtë betejë legjendare i dha ariut statusin e legjendarit në mesin e ushtarëve. Me miratimin e komandës së lartë të ushtrisë polake, u ndryshua edhe emblema e njësisë, në të cilën tani figuronte një ari duke e bartur një predhë.

Madje edhe pas përfundimit të luftës, udhëtimi i Vojtekut nuk kishte përfunduar. Në vitin 1946, ai së bashku me bashkëluftëtarët e tij u stacionua në Skoci. Me fillimin e demobilizimit të forcave, u ngrit edhe çështja se ku duhet të jetojë Vojteku. Në Iran apo në Poloni? Apo duhej të mbetej në Skoci?

“Autoritetet polake dëshironin ta dërgonin në një kopsht zoologjik në Poloni. Por kolegët e mi, të cilët ishin në Skoci, nuk pajtoheshin”, rrëfen Nabreski. Kështu, pas insistimit të ushtarëve, Vojteku i shpëtoi për një fije floku diktaturës komuniste në Poloni.

Shtëpia e re e Vojtekut u bë kopshti zoologjik në Edinburg. Aty, ai u bë atraksioni më i madh dhe shumë veteranë të luftës u kthyen aty për ta parë.

Karolevski ka vizituar disa herë bashkëluftëtarin e tij të vjetër dhe zbuloi se ai përgjigjej, kur i drejtohej në gjuhën polake. “Sa herë që ia përmendja emrin, ai ulej dhe tundte kokën për të kërkuar cigare”, kishte deklaruar Karolevski.

Në vitin 1963, ariu i pazakonshëm ngordhi në Edinburgh, në moshën 22-vjeçare. Vojtek u shndërrua në simbol të solidaritetit mes Polonisë dhe Skocisë dhe vazhdon të jetojë në kujtesën e popujve të të dy vendeve. Në vitin 2009, Parlamenti i Skocisë organizoi një pritje për nderim të Vojtekut.

Historia unike e Vojtekut vazhdon të përsëritet në rrëfime, libra dhe në film. Në vitin 2011, Will Hood, regjisori i filmit dokumentar, “Vojtek-Ariu që shkoi në luftë”, u pyet se çfarë e ka ngazëllyer në rrëfimin për këtë ari.

“Fakti se ai vetë ka menduar se është njeri, ngre disa pyetje interesante për atë se çfarë është të jesh njeri”, u përgjigj Hood.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›