E Shtunë, 31 Tetor 2026

Volfart: Presidenti të zgjidhet me konsensus mes palëve

10/01/2012  Avokati i Popullit takime të veçanta me ambasadorin e OSBE-së dhe atë danez, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së

Shtatë muaj para se të mbarojë afati kushtetues i mandatit të Presidentit Bamir Topi, kreu i OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfart, u shpreh dje se kreu i ri i shtetit duhet të zgjidhjet me konsensus mes palëve. Ambasadori Volfart në prononcimin e tij shpreson që klasa politike shqiptare të arrijë konsensusin edhe për presidentin e ri të vendit sapo të dalin në pah kandidatët. Deklaratat e tij ambasadori i OSBE-së i bëri pas takimit të djeshëm me Avokatin e Popullit Igli Totozani në zyrën e këtij të fundit. Gjatë prononcimit të tij ambasadori i OSBE-së theksoi se është tejet e rëndësishme që Shqipëria të shtrojë rrugën e integrimit në BE, duke shtuar se për të arritur këtë duhet konsensusi dhe dialogu për çështjet madhore të vendit, siç është edhe zgjedhja e Presidentit, që duhet të jetë një kandidat i mbërritur prej konsensusit politik. “Është e rëndësishme të shtrohet rruga për integrimin e vendit në Bashkimin Europian dhe vizita që pata sot (dje) me Avokatin e Popullit tregon se ajo që nevojitet për të shfrytëzuar këtë rrugë mbetet konsensusi dhe dialogu që sot janë mundshme për t’u realizuar. Votimi me 127 vota në Kuvend i Avokatit të Popullit Totozani është shumë inkurajues dhe i vlefshëm për qëllimin dhe detyrën që ai ka në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Shpresoj që i njëjti konsensus politik të arrihet edhe për përzgjedhjen e kandidatëve për president dhe zgjedhjen e kreut të shtetit”, - u shpreh dje ambasadori i OSBE-së Eugen Volfart. Më herët Totozani priti dje në zyrën e tij ambasadorin e Danimarkës në Tiranë, Karsten Jensen, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së. Gjatë takimit ambasadori Jensen i garantoi bashkëbiseduesit se Danimarka mbetet e angazhuar për forcimin e kapaciteteve të institucionit të Avokatit të Popullit. “Me ambasadorin Jensen u bisedua për bashkëpunimin mes dy institucioneve homologe. Danimarka është e angazhuar për forcimin e kapaciteteve të institucionit të Avokatit të Popullit në Shqipëri”, - deklaroi pas takimit Totozani, që konfirmoi se “Avokatit i Popullit do të vihet në shërbim të problemeve të qytetarëve”. Takimi i djeshëm mes Avokatit të Popullit dhe ambasadorit danez u zhvillua në kuadër të njohjeve me përfaqësitë diplomatike si dhe urave bashkëpunuese.

Kandidimi i Majkos në OKB

Më 18 janar shpallet fituesi për zëvendësin e Ban Ki-Munit

Përzgjedhja e zëvendësit të Sekretarit të Përgjithshëm për Europën dhe vendet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe Kaukazit në OKB pritet të zhvillohet më 18 janar nga vetë kreu i saj Ban Ki-Mun. Për këtë post kandidon edhe njëri nga personalitetet e politikës shqiptare, deputeti dhe ish-kryeministri socialist Pandeli Majko. Gjasat që këtë post ta fitojë deputeti shqiptar janë tepër të mira, edhe pse vendimi mbetet në dorën e OKB-së. Në kandidim mbeten ende edhe dy figura që vijnë nga shtete të tjera, që nuk vijnë nga politika, por nga shoqëria civile. Prej ditësh Majko ndodhet në Uashington në pritje të vendimit të OKB-së. Lajmi për kandidimin e Majkos në këtë post u bë publik pas mbledhjes së parë të kryesisë së re të PS-së, ku gjithashtu u debatua fort për mungesat e tre deputetëve gjatë seancës parlamentare, ku u votua për kreun e KLSH-së. Vetë Majko pas daljes së lajmit sqaroi se “unë jam vënë në dijeni që emri im, si shqiptar, është duke u konsideruar për një kandidaturë të mundshme pranë Kombeve të Bashkuara në pozicionin e ndihmëssekretarit të përgjithshëm të Europës dhe vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik dhe Kaukazit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›