E Shtunë, 31 Tetor 2026

Volfart: Është vonë, s’mund të bëhen ndryshime në Kod

17/03/2011  Ish-presidentët propozojnë që KZAZ-të të mos kenë përbërje politike

Forumi Civil, i përbërë nga dy ish-presidentët, Mosiu dhe Mejdani dhe një sërë juristësh, kur nuk kanë mbetur dhe shumë kohë nga dita e zgjedhjeve, kanë hedhur idenë e riformatimit të KZAZ-ve. Ish-presidentët, të mbledhur dje pasdite në prezencën e ambasadorit të OSBE-së Eugen Volfart, kanë kërkuar që komisionerët të mos jenë të emëruar nga partitë politikë, por të fushave të tjera. Sipas tyre, kjo do të garantojë një proces të rregullt dhe të drejtë, si dhe një sërë kërkesash të tjera që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor. Gjithsesi, kërkesa e tyre ka hasur në kundërshtimet e ambasadorit të OSBE-së, i pranishëm në tryezë, i cili i ka kujtuar këtij forumi se tashmë janë të vonuar në kërkesat e tyre, pasi nga zgjedhjet nuk na ndajnë dhe shumë ditë, një argumentim ky i bërë paraditen e djeshme dhe nga ambasadori i SHBA-ve Aleksandër Arvizu. Nga ana tjetër, tryeza e forumit ka kërkuar dhe një monitorim të rreptë të kartave të identitetit me qëllim shmangien e votimeve të shumëfishta, si dhe kanë kërkuar dhe korrigjimin e dublimit në lista, kërkesa këto të bëra më parë dhe nga ana e Partisë Socialiste. Gjithsesi, ende nuk dihet se sa i fuqishëm do të jetë zëri i ish-presidentëve, të mbledhur tashmë në një forum, por është evident fakti se kohët e fundit çdo ditë e më shumë ata po shfaqen me propozime, duke na lënë të kuptojmë se janë ende aktivë në jetën shoqërore. Shqetësimi i ish-presidentëve për zgjedhjet vjen dhe nga fakti se të dy ata kanë qenë në krye të shtetit në periudha të ndryshme, gjatë të cilave janë zhvilluar pesë zgjedhje radhazi, ku katër prej tyre janë cilësuar si të manipuluara jo vetëm nga faktori politik shqiptar, por dhe ai ndërkombëtar. Ndërkohë për sa u përket KZAZ-ve, më parë duhet të bëhen ndryshimet në Kodin Zgjedhor që të vihet në zbatim propozimi i ish-presidentëve Moisiu dhe Mejdani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›