Volfarth: Do kërkojmë sqarime mbi bazën ligjore për shkarkimin e anëtarit të LSI-së në KQZ
Kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth, ka komentuar nismën e mazhorancës për të liruar nga detyra anëtarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim.
Volfarth deklaroi se sa u takon aspekteve politike janë forcat politike që duhet të japin zgjidhje. Megjithatë ai paralajmëroi se do të kërkojë sqarim për vendimin që Komisioni i Ligjeve mori ditën e djeshme për lirimin nga detyra të anëtarit të KQZ-së, Ilirian Muho.
Gjatë një prononcimi për mediat, ambasadori theksoi se duhet shpjeguar baza ligjore mbi të cilën PD ka ndërmarrë këtë veprim, teksa ka kërkuar që institucionet të marrin vendime të kujdesshme dhe me konsensus. /A.XH