Varfëria çon në vetëvrasje 38-vjeçarin nga Shkodra
Dy raste vetëhelmimi janë regjistruar brenda pak orësh në repartin e intoksikimit të Spitalit Rajonal të Fierit, ndërsa në Shkodër një 38-vjeçar ka vrarë veten me pistoletë.
Në Fier ato që kanë tentuar të vetëvriten janë dy femra që jetojnë në zona periferike. Mjeku toksikolog, Kilo Stoja, ka thënë për gazetën “Shqip” se një prej pacienteve është një 37-vjeçare nga fshati Aranitas i Mallakastrës dhe tjetra një 16-vjeçare nga fshati Bishan i Komunës Levan në Rrethin e Fierit. 37-vjeçarja Luljeta Sulaj ka kërkuar ndërhyrjen e specializuar të mjekëve të spitalit rajonal Fier rreth orës 14:30, pasi kishte shkuar më parë në spitalin e Ballshit. Gjendja e saj ishte kritike dhe bluzat e bardha kanë vendosur transportimin e saj drejt spitalit të Fierit për mjekim më të specializuar. Ndërkaq, 16-vjeçarja P.M. ka tentuar t’i japë fund jetës me fostoksinë dhe gjendja e saj është mjaft e rëndë. Policia është njoftuar për të dyja ngjarjet nga mjekët e spitalit dhe ka nisur hetimet. Burimet zyrtare të Komisariatit të Fierit tregojnë se 37-vjeçarja nga Aranitasi ka tentuar t’i japë fund jetës me një “kokteil” medikamentesh për shkak të një sëmundjeje mendore prej së cilës vuan. Ndërkohë, për 16-vjeçaren nga fshati Bishan kjo ka qenë tentativa e dytë e vetëflijimit. Mjekët e spitalit të Fierit thonë se rastet e vetëvrasjeve janë në shifra shqetësuese. Gjatë javës që kaloi, pati edhe dy raste të tjera vetëvrasjesh.
Ndërkaq, në fshatin Grudë e Re të Shkodrës, një 38-vjeçar është vetëvrarë me pistoletë. Ngjarja në fjalë ka ndodhur rreth orës 13:30 të së hënës, kur viktima Agron Isufi në momentin që ka qenë vetëm në shtëpi, ka shkrepur armën e zjarrit tip pistoletë që mbante pa leje, duke qëlluar veten me një plumb në kokë. Kjo goditje ka qenë vdekjeprurëse për 38-vjeçarin, i cili ka ndërruar jetë brenda pak minutash. Sipas burimeve policore mësohet se Isufi po kalonte një periudhë me probleme financiare, të cilat kishin ndikuar në rëndimin e gjendjes së tij psikologjike.
#