Thellohet skandali me anijen Brustel
Vazhdojnë peripecitë e marinarëve të anijes “Brustel”. Kryemekaniku i anijes kontakton gazetën “Shqip” nga Turqia, për të kërkuar ndihmë dhe dëshmuar se problemet e marinarëve në lundrim mbeten të njëjta. I ndodhur nën stres dhe vështirësi profesionale dhe ekonomiko-financiare për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve që pronari i anijes ka ndaj tij dhe pjesëtarëve të tjerë të anijes që nisën lundrimin një vit më parë, Agim Berberi vendos të flasë. “Kam nëntë muaj e gjysmë pa u paguar. Në një vit punë jam paguar vetëm për dy muaj e gjysmë dhe asgjë më shumë”, thotë Berberi në linjë telefonike nga Turqia. Pasi ka lënë Portin e Misuratës dhe ujërat afrikane me një ekuipazh të rinovuar, pas riatdhesimit të kapitenit të mëparshëm, Armando Ulqinaku, dhe 4 pjesëtarëve të tjerë të ekuipazhit, anija me flamur shqiptar “Brustel” ka hedhur spirancën në radën e Portit turk të çanakales. Anija ndodhet në spirancë dhe ekuipazhi pak ditë më parë është takuar me pronarin e anijes dhe punëdhënësin e vet, i cili u ka premtuar se do t’ua shlyejë të gjitha detyrimet financiare familjeve të tyre. “Ka qenë premtimi i radhës, prandaj na ndihmoni. Kam kërkuar që të paguhem për rrogat e prapambetura dhe m’u tha që ‘po’. Pas kthimit në Shqipëri, pronari i ka dhënë vetëm 500 dollarë familjes sime dhe asgjë më shumë. Më detyrohet 23 mijë dollarë për punën e bërë përgjatë më shumë se nëntë muajve”, rrëfen Berberi me detyrë kryemekanik i anijes. Emri i tij, ashtu si i të gjithë marinarëve të tjerë, ishte në listën e pjesëtarëve të ekuipazhit që iu drejtuan nga Libia Ministrisë sonë të Jashtme me kërkesën për riatdhesim, por pas ndërhyrjeve dhe premtimeve se gjërat do të ndryshojnë, Agim Berberi, ashtu si dhe disa të tjerë, u tërhoqën. Pranuan të vijojnë lundrimet me anijen “Brustel” për llogari të kompanisë “Bruno sh.p.k”. Pesë detarët e kthyer pranë familjeve janë në përballje ligjore me pronarin e anijes, në kërkim të pagave të mohuara, ndërsa Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës ka nisur hetimet për këtë rast. Hetimet kanë nisur për mashtrim dhe punësim të paligjshëm, pasi të gjithë marinarët janë punësuar pa nënshkruar kontrata të rregullta me punëdhënësin. Pyetjes se pse nuk kërkoi ndihmë atëherë kur grupi prej pesë marinarësh u përball me punëdhënësin dhe insistoi për riatdhesimin në kushtet e rënduara të një pune të papaguar dhe nën tension të plotë dhe për shkak të llojit të profesionit, Berberi iu përgjigj se ra pre e premtimeve të pambajtura dhe presioneve. Premtimet nuk u mbajtën as në takimin e fundit të bërë në Turqi. Gjendja nuk ndryshoi as për të dhe as për oficerin e parë dhe të dytë të anijes, atëherë kryemekaniku vendosi të bëjë publike gjendjen që po kalon dhe jetën stresante. “A e dini çfarë do të thotë të bësh kryemekanikun e një anijeje kur je në mes të oqeanit dhe pa karburant?!”,- thotë në mënyrë retorike Berberi, duke riçelur debatin mes ekuipazhit dhe pronarit për gjendjen e anijes dhe mosplotësimin e nevojave bazë të saj gjatë lundrimit, për shkak të krizës ekonomike që ka përfshirë dhe sektorin e transportit detar. Ndërkaq, anija “Brustel” me 13 persona në bord, të gjithë pjesë të ekuipazhit të saj, është gati për të marrë udhëtimin drejt Portit turk të Antalias, ku nga sa dinë, pritet të marrin një ngarkesë në çimento me destinacion Algjerinë. Konfliktet e radhës do të ndikojnë dhe në këtë lundrim që rrezikohet, në rast se nuk zgjidhen në distancë mosmarrëveshjet e lindura për shkak të pagave të papaguara për pjesëtarët e mëparshëm të ekuipazhit, të cilët që prej një viti qëndrojnë në anije, larg familjeve dhe të pavlerësuar për punën e bërë.
#