E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vorë, Berisha: Rama përpiqet të mbjellë urrejtje klasore ndaj të pasurve

VORË- Në një tubim elektoral, PD prezantoi sot edhe në Vorë kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 23 qershorit.

Berisha u shpreh se në 8 vite PD ka celur një kapitull të ri në historinë e vendit dhe i ftoi këta banorë të vazhdojnë ta besojnë në një 4 vjecar të ri, për më shumë ndryshime.

“Ne hapëm një kapitull të ri në historinë tonë, firmosëm anëtarësimin në NATO, marrëveshjen e asocim-stabilizimit, heqjen e vizave dhe rekomandimin për status. Shqipëria nuk është kurrë më ajo që ishte pak vite më parë, në pak vite ne kemi bërë ndryshime të mëdha në Shqipëri, nga Konispoli në Vermosh, nga lindja në perëndim me mund e djersë është ndërtuar një sistem i ri rrugor, që kanë ndryshuar gjeografinë e këtij vendi. Ndërtuam dhe rindërtuam mbi 1300 shkolla, mbi 420 sisteme kanalizimesh, 400 qendra shëndetësore dhe spitale. Në Vorë kemi ndërtuar mbi 50 km rrugë, 6 ujësjellësa dhe kanalizime, 4 shkolla, kopshte si dhe rindërtim të rrjetit elektrik, Vora është sot porta moderne e kryeqytetit të vendit”, tha Berisha

Berisha premtoi se gjatë viteve që vijnë do ketë më shumë projekte për Vorën, ndërsa premtoi ndërtimin e rrugës së Maminasit, stadium në Vorë, shkollën në Picar.

Duke akuzuar Ramën, Berisha tha se, “Shoku i autobusit na pengoi 1 vit por më në fund u dorëzua, ne do marrim statusin, do hapim negociatat me BE, do bëjmë gjithçka për të liberalizuar vizat me SHBA. Do bëjmë cdo gjë për punësimin e 250 mijë shqiptarëve. Shoku i autobusit ju premtoi qytetarëve se kur të vijë në pushtet do heqë taksat mbi makinerinë, i them shko tek dogana moderne që ndërtuam dhe do shikosh se që nga 1 maji bizneset nuk paguajnë më asnjë taksë për makineritë. Ne i bëjmë realitet premtimet tona”, tha Berisha.

Sipas kryeministrit, Rama është lideri që përpiqet të mbjellë urrejtje klasore.
“Premton se do ulë taksat për 95% të shqiptarëve, në cdo vend të lirë të botës ekonomia nuk zhvillohet nga sipër-poshtë, por është klasa e mesme ajo që gjeneron mbi 90% të të ardhurave në cdo vend, ti përpiqesh të mbjellësh urrejtjen klasore ndaj të pasurve”, tha ai më tej.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›