E Diel, 1 Nëntor 2026

Vorë, bashkia padit viktimat për dëmshpërblimin

Gjykatë

çështjes së Gërdecit i shtohen edhe dy padi të tjera, por kësaj radhe të paditur janë banorë të dëmtuar nga kjo tragjedi. Sipas “Top Channel”, Hekuran Cubi dhe Sanije Skënderi janë paditur në Gjykatën Civile të Tiranës për moskthim të shumës së tepërt të përfituar, pasi sipas bashkisë, të dëmtuarit e tragjedisë së Gërdecit kanë përfituar nga fondet e shtetit në kohën që komisioni i parë i vlerësimit të dëmeve i ka vlerësuar ato me një vlerë më të lartë se komisioni i dytë që ishte edhe përfundimtari. Këto dy padi janë hedhur në short dhe i kanë rënë në gjykim Teuta Hoxhës dhe Altin Shkurtit.

Pothuajse një vit më parë, njësia vendore depozitoi një paketë të plotë me 42 banorë nga Gërdeci dhe Marqineti, për të cilët ajo kërkonte që t’i kthenin shumën e derdhur nga shteti në bazë të një vlerësimi të kryer nga komisioni i rivlerësimit të dëmit. Por kjo listë të paditurish u copëzua në disa gjyqtarë të Gjykatës Civile, ku disa procese ende s’kanë përfunduar, ndërsa të tjerë janë pushuar nga gjykata.

Nga ana tjetër, të dëmtuarit e kësaj tragjedie, të cilët kanë humbur të afërm në shpërthimin e 15 marsit 2008, janë në dorën e gjykatësve për dëmshpërblimin e jetëve të humbura. Po kështu, në Gjykatën Penale ndodhet edhe procesi gjyqësor ndaj 29 të pandehurve që akuzohen për tragjedinë e dy viteve më parë, mes të cilëve civilë, ushtarakë dhe drejtues të kompanisë së demontimit “Albademil”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›