Idrizi: Të mos lejojmë ndarjen e Kosovës
Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, mori dje përkrahjen e partive opozitare të Kosovës për më shumë bashkëpunim për çështjen çame dhe atë kombëtare. Në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, Idrizi, së bashku me delegacionin që e shoqëron, zhvilloi një takim me nënkryetarin e Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashin, me të cilin u fol për çështjet kombëtare dhe ato tregtare. Gjatë fjalës së tij, Idrizi theksoi nevojën që vjen për krijimin e një tregu të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës. “Një treg prej 7 milionë banorësh është gjithnjë më tërheqës, sesa dy tregje të copëzuara siç jemi tani”, theksoi Idrizi, ide e cila u mbështet edhe nga Gashi. Në fjalën e tij, Idrizi theksoi se në rast të ndonjë rreziku për ndarje të Kosovës, të gjithë shqiptarët kudo që të ishin duhet të reagonin me forcë. “Ka zëra të cilët flasin për mundësinë e ndarjes së Kosovës. Nëse këto zëra shtohen, atëherë duhet të kemi një reagim mbarëkombëtar, pavarësisht shtetit dhe origjinës; e gjithë skena politike shqiptare, e gjithë shoqëria civile shqiptare dhe të gjithë shqiptarët në përgjithësi do të reagojnë në formën e duhur”, theksoi Idrizi. Nga ana tjetër, kryetari i PDU-së dhe kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, lidhën një marrëveshje bashkëpunimi që do të kenë këto forca në të ardhmen. Idrizi e uroi Kurtin për hyrjen e tij në politikë dhe theksoi se bashkëpunimi mes tyre do të ishte i suksesshëm.
#