E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitrovica, liderët serbë e kosovarë shkëmbejnë akuza

 

Situata në Mitrovicë është rënduar pas përplasjeve të fundit mes serbëve dhe shqiptarëve në pjesën veriore të qytetit, gjë që ka nxitur edhe deklarata konfliktuale nga liderët e dy vendeve fqinje. Ndërsa autoritetet e Kosovës dënojnë provokimin e serbëve për konfliktet e fundit duke premtuar zbardhjen e tyre, Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç ka akuzuar shqiptarët në Kosovë se po nxisin konflikt të qëllimshëm me etninë serbe. Tadiç u ka dërguar një notë proteste vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Ban Ki Munit dhe Çekisë si kryesuese e Bashkimit Evropian ku akuzon KFOR-in, EULEX-in dhe UNMIK-un se nuk kanë reaguar me kohë dhe nuk kanë evituar sulmet ndaj serbëve në Kosovë. “Qëllimi i vërtetë i autoriteteve kosovare dhe ekstremistëve shqiptarë është që përmes dhunës të provokojnë konflikte me serbët në mënyrë që të pengojnë zbatimin e marrëveshjes gjashtë pikëshe që e kanë realizuar Serbia dhe Kombet e Bashkuara”, hamendësoi ai. Ndërkohë deklarata e Tadiç është hedhur poshtë nga një përfaqësuese e serbëve të Kosovës, Rada Trajkoviç, e cila ka akuzuar vetë serbët për konfliktin e fundit në Mitrovicë. Në një intervistë për agjencinë “Fonet”, kryetarja ekzekutive e Këshillit Kombëtar Serb (SNV) ka deklaruar se “ministri serb për Kosovës, Bogdanoviç, ka bërë mirë që ka tërhequr vëmendjen për grupet ekstremiste shqiptare, por ka harruar të përmendë atë që është esencë në ngjarjet e fundit, se serbët janë përgjegjës për këto incidente”. Sipas saj “serbët kanë hedhur bombën mbi zjarrfikësit dhe kanë sulmuar ekipin e televizionit “Most”, ku u lëndua një gazetare”. Ndërkohë Në Prishtinë, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, ka akuzuar Serbinë se po vazhdon të manipulojë qytetarët serbë të Kosovës, me qëllim të nxitjes së një opinioni të keq për Kosovën në botë. Duke komentuar incidentet e fundit në veri, Krasniqi theksoi nevojën e funksionimit dhe shtimit të efikasitetit të EULEX-it, sidomos në veri të Kosovës. Mediat serbe kanë njoftuar dje se “mbrëmë rreth orës 22:00, në Mitrovicë, në Lagjen e Boshnjakëve, janë sulmuar dy serbë lokalë që kalonin andej me makinë. Ata janë Bato Gjorgjeviç dhe Petar Gusniç, që kanë pësuar lëndime të lehta”. Në njoftim thuhet se konflikti i mëtejmë është shmangur nga ndërhyrja e policisë. Por zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Besim Hoti, tha për BBC-në se nuk ishte në dijeni të shkaqeve të rrahjes së dy qytetarëve në veri dhe nuk e dinte nëse incidenti kishte motive ndëretnike. Sipas shtypit kosovar, shqiptarët dhe serbët  në Mitrovicë janë vetorganizuar. Kryetari i Mitrovicës, Bajram Rexhepi fajësoi grupe të caktuara dhe të organizuara serbe në verim, të cilët janë duke bërë incidente me qëllim të tensionimit të situatës. Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri, Hashim Thaçi kanë pranuar se situata në veri është e nderë, por pjesa tjetër e Kosovës funksionon sipas ligjit. Thaçi tha se qeveria e Kosovës do të kompensojë dëmet e dy lokaleve të djegura nga serbët në Mitrovicë, duke i ofruar 100 mijë euro.     

“Mbështesim apelin e Prishtinës”
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha ka deklaruar se Shqipëria po ndjek me vëmendje situatën në Mitrovicë, pas incidenteve të ditëve të fundit dhe është në kontakt të drejtpërdrejtë me homologun në Kosovë, Skënder Hyseni dhe kryetarin e komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepin. Ministria e Jashtme në Tiranë bashkohet me apelin e institucioneve të Kosovës, që qytetarët të shmangin provokimet dhe vlerëson lart bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës me KFOR-in dhe EULEX-in, që nuk do të lejojnë asnjë lloj dhune në Kosovë.

“Jo dhunës në Mitrovicë e Preshevë”
Partia Socialiste ka dënuar ngjarjet e dhunshme në Mitrovicë dhe veprimet e autoriteteve të Serbisë në Luginën e Preshevës. Sekretarja e Marrëdhënieve me Jashtë në PS, Arta Dade, tha se Kosova nuk mund të ketë kthim mbrapa. “PS ndjek me vëmendje dhe shqetësim të veçantë zhvillimet e ditëve të fundit në veri të Kosovës dhe dënon aktet e dhunës ndaj shtetasve të Kosovës dhe pronës së tyre”, tha Dade duke shtuar, “Stabiliteti dhe paqja në Kosovë, në Luginën e Preshevës dhe në rajon nuk mund të mbahen peng i skemave të vjetruara në erën e dekadës së fundit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›