E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bush i penduar: Nuk jam njeri i luftës

Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, ka pranuar për "The Times" të Londrës, se retorikat e tij të ashpra kanë bërë që bota të mendojë se ai është i etur për luftë në Irak. Por, ai thotë se qëllimi i tij, momentalisht, është t‘i lërë trashëgimi pasuesit një diplomaci ndërkombëtare efikase për Iranin. Në një intervistë ekskluzive ai ka shprehur keqardhje në lidhje me ndarjet e krijuara mbi luftën dhe tha se ishte shqetësuar në lidhje me mënyrën se si vendi i tij e kishte keqkuptuar. "Duke shikuar prapa, duke bërë një retrospektivë, unë mendoj se mund të kisha përdorur një ton tjetër, një retorikë tjetër", thotë ai. Fraza si "kapini të gjithë" apo "gjallë ose vdekur", thotë Bush, "i kanë bërë njerëzit të mendojnë se unë nuk isha njeri i paqes". Ai thotë gjithashtu se kishte qenë shumë i vështirë dërgimi i të rinjve në luftë. Ai shton: "Unë mendoj të takohem me sa më shumë familje që të mundem. Kam detyrimin të ngushëlloj ata që kanë humbur të dashurit e tyre në luftë. Unë gjithashtu kam detyrimin për të garantuar se ato jetë nuk janë humbur kot". Njëanshmëria që kishte shënuar mandatin e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë u zëvendësua nga një entuziazëm për multilaterizmin e ashpër. Ai tha se fokusi për gjashtë muajt e tij të fundit në detyrë ishte për të siguruar një marrëveshje mbi çështjet si përcaktimi i shtetit palestinez dhe lënia pas e një serie strukturash që e bëjnë më të lehtë punën për Presidentin e ardhshëm. Presidenti Bush është i shqetësuar se i nominuari i demokratëve, Barak Obama, mund të shkaktojë çarje në Perëndimin e bashkuar në një front për sa u takon ambicieve bërthamore të Teheranit. Në samitin BE-SHBA, në Slloveni, ai kishte këmbëngulur për sanksione më të ashpra kundër Iranit në rast se nuk do të bihej dakord për të pezulluar programet e tij të pasurimit të uraniumit: "Ata mund të përballen me izolimin ose mund të kenë marrëveshje më të mira me të gjithë ne". Ndërkohë, Bush thotë për "The Times" se kur pasuesi i tij do të ulej në Shtëpinë e Bardhë dhe do të vlerësonte se çfarë politike do të ndiqte në lidhje me Iranin, ai do të donte që të vazhdonte politika aktuale. E ndërsa zyrtarë të lartë izraelitë kanë folur për një goditje ushtarake mbi Iranin, Bush ka thënë se duhet punuar së bashku dhe se presioni mbi Iranin duhet të vazhdojë të jetë i lartë. Bush gjithashtu do të donte që pasuesi i tij të vazhdonte të mbështeste praninë ushtarake në Afganistan dhe Irak, por tregohet një optimist i matur në lidhje me rënien aktuale të dhunës. E ndërkohë, Presidenti Bush jep fjalë inkurajuese për aleatin e tij, Gordon Braun, me të cilin ai do të takohet të dielën. "Ai është një person i matur dhe i mençur, plotësisht i aftë për të kapërcyer çdo situatë". Në anën tjetër ai paralajmëroi Barak Obamën, se premtimet e tij për të rinegociuar apo bllokuar marrëveshjet e tregtisë ndërkombëtare po shkaktojnë alarm në Evropë dhe përtej saj. "Ka shqetësime në lidhje me proteksionizmin dhe nacionalizmin ekonomik", tha Bush. "Liderët e pranojnë se tani ka ardhur koha për t‘i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje para se ajo të bëhet pjesë e sistemeve politike të vendeve tona respektive". Ndërkohë, Presidenti e di se i nominuari republikan, Xhon MekKejn, do të duhet të distancohet nga administrata aktuale. "Ai është një person i pavarur që do të marrë vendimet e veta në mënyrën që ai e mendon si më të mirën", tha Bush. I pyetur nëse Amerika është gati për një President me ngjyrë, Bush thotë: "Unë mendoj se fakti që Partia Demokratike ka nominuar Barak Obamën është një dëshmi e qartë e faktit se sa larg ka shkuar Amerika. Do të jetë e rëndësishme për amerikanët që të zgjedhin njeriun e duhur, që të përballet me sfidat e shekullit të 21-të. Kjo është në fakt një detyrë shumë e vështirë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›