E Diel, 1 Nëntor 2026

Vota vlonjate, më 23 qershor do të jetë për projektet e mëdha të PD

03-06-2013 / Gazeta 55

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi

Nënkryetari i Partisë Demokratike, njëkohësisht kandidat për deputet i kësaj force politike në Qarkun e Vlorës, Astrit Patozi, shprehu dje bindjen se vota e zgjedhësve vlonjatë në 23 qershor do të jetë për projektet e mëdha që Partia Demokratike ka parashikuar e programuar për këtë qytet, duke nisur nga infrastruktura, arsimi, shëndetësia.  Duke folur konkretisht, në një takim me banorë të lagjes “Partizani” në këtë qytet, Patozi ka theksuar se do të asfaltohet çdo rrugë, në fshat e qytet, do të investohet në ujësjellësa për çdo zonë e do të rikonstruktohet çdo shkollë. Pikërisht nga këtu, theksoi ai, do të nisë një nga projektet e mëdha për Vlorën, ai i ndërtimit të rrugës së Lumit të Vlorës, e cila do t’u shërbejë vlonjatëve, banorëve fisnikë të Lumit të Vlorës e gjithë vendit.  “Vlonjatët do të na votojnë për alternativën tonë, sepse përballë kemi atë që sot është shndërruar në alternativën e tritolit”, theksoi Patozi, duke ju referuar ngjarjes së mëngjesit të së shtunës, kur pranë banesës së kreut lokal të PD-së, Ardian Kollozi, shpërtheu një sasi lënde eksplozivi. “Akti terrorist ndaj kryetarit të Partisë Demokratike të Vlorës, mikut tonë Ardi Kollozi, s’mund të ketë veçse prapavijë politike. Përgjegjësit do të vendosen padyshim përpara drejtësisë, por ju bëjmë thirrje kundërshtarëve tanë politikë të heqin dorë nga përdorimi i falangave të krimit ndaj Partisë Demokratike, pasi do të marrin përgjigjen e merituar”, vijoi më tej nënkryetari i Partisë Demokratike. Nga ana e saj, kandidatja për deputete, Liljana Elmazi, tha se, Shqipëria ka ndryshuar dhe kjo është e prekshme nga të gjithë. Duke renditur arritjet e qeverisë në infrastrukturë, rritje pagash e pensionesh, ajo theksoi se në vitet që vijnë edhe më shumë do të bëhet për të çuar përpara projektin e Shqipërisë së zhvilluar. Ndërkohë Elmazi ka përsëritur thirrjen e saj drejtuar çdo vlonjati për t’iu bashkuar fitores së Partisë Demokratike në 23 qershor. “Fushata jonë do të vijojë të jetë qytetare, duke patur në qendër bashkëbisedimin e shtrëngimin e duarve me çdo vlonjat”, u shpreh kryetari i degës së PD-së, Ardi Kollozi, njëkohësisht kandidat për deputet në zgjedhjet e 23 qershorit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›