“Rama nihilist, investimet për Vlorë në dy mandatet e Berishës janë 850 milion dollarë”
Partia Demokratike reagon ndaj akuzave të Partisë Socialiste
Akuzat e Edi Ramës së qeveria e kryesuar nga kryeministri Berisha ka lënë pas dore qarkun e Vlorës kanë marrë përgjigjen nga Partia Demokratike. Në një konference për shtyp, Laura Vorpsi, zëdhënëse e Partisë Demokratike deklaroi se, “I tronditur dhe i trembur deri në palcë, Rama nuk gjeti dot në Vlorë gjurmë të rëndësishme të investimeve të qeverisë 8 vjeçare të Partisë Socialiste dhe tre mandateve të qeverisjes socialiste vendore. Sipas saj, “Edi Rama me platformën e tij të mohimit të çdo gjëje pasi kërkoi ndjesë se Qeveria Socialiste nuk ka bërë asgjë për Vlorën, mashtroi dhe vetëm mashtroi kur u tha vlonjatëve se Qeveria e Kryeministrit Berisha nuk ka bërë asgjë, madje me gjuhë urrejtje ai u shpreh se, “Berisha nuk e do Vlorën!!!”, theksoi ajo. Ndër të tjera, zëdhënësja e PD, Vorpsi, duke reaguar lidhur me akuzat e ngritura nga kreu i PS, shtoi se “Partia Demokratike është e bindur se një mashtrim të papërgjegjshëm nuk e pranon asnjë banor i çdo bindje politike qoftë ai”. “Ata e dinë se investimet në qarkun e Vlorës të Qeverisë Berisha janë 18 herë më të mëdha se sa ato të Qeverive Socialiste. Këto investime në infrastrukturën rrugore, në ujësjellësa, shkolla, qendra shëndetësore, kanalizime, porte energjetik, arrijnë në shifrën rreth 850 milion dollarë", theksoi Vorpsi. “I rikujtojmë këtu, shtoi ajo, nihilistit Edvin Rama se me autobusin e tij mavi mund të udhëtojë nga Ura e Mifolit gjer në Konispol me Rrugë të Re ose tërësisht të rindërtuar nga Qeveria Berisha”. “Në Vlorë qytet, rrethe dhe qark janë ndërtuar 62 ujësjellësa të rinj dhe kanalizime, si ujësjellësat e Vlorës, Sarandës, Ksamilit dhe dhjetëra të tjerë. Po ashtu po ndërtohet dhe ai i Orikumit. Në Qarkun e Vlorës nga Qeveria Berisha janë ndërtuar dhe rindërtuar mbi 73 shkolla, ndërtesa, universitete e kopshte, 89 qendra shëndetësore dhe ambulance. Është ndërtuar rruga transballkanike, impianti i ujërave të zeza të Vlorës, dhe po përfundojnë për Sarandën dhe Ksamilin po ashtu po ndërtohet për Orikumin. Është zgjeruar porti i Vlorës dhe po ndërtohet porti i Sarandës, nëncentrali, termocentrali dhe porti modern energjetik dhe një seri hecesh me koncesion në Vlorë.", kujtoi Vorpsi. "Reformat e qeverisë së Partisë Demokratike kanë bëre të mundur që numri i bizneseve të rritet nga 6500 që ishte ne vitin 2005 në 126 mijë në vitin 2012. Vitet e fundit nga grantet e qeverisë kanë përfituar 3 500 fermerë. Partia Demokratike i rikujton Z. Rama se nihilizmi është produkt i mentalitetit totalitar dhe është doktrinë “hiçi", shtoi ajo. "Partia Demokratike garanton qytetarët e qarkut të Vlorës se pavarësisht çfarë deklaron shefi i autobusit mavi, 4 vitet e ardhshme investimet e Qeverise do të trefishohen në qytetin dhe Qarkun e Vlorës!", përfundoi Vorpsi.