E Diel, 1 Nëntor 2026

Tritoli në Fushë-Krujë, burg pa afat për katër nga autorët

KRUJË- Burg pa afat për katër nga pesë të akuzuarit për vendosje tritoli në Fushë-Krujë

Gjykata e shkallës parë Krujë ka dhënë edhe masën e arrestit për pesë të akuzuarit ditë më parë, për vendosje eksplozivi në shtyllat e tensionit të lartë dhe urave që lidhin fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë. Të pesë të arrestuarit janë njohur me akuzën të vetëm, duke marrë edhe masat e arrestimit. Të arrestuarit janë 54-vjeçari Bashkim Zalla, banues në fshatin Zallë të Fushë-Krujës, i dënuar për vrasje; djali i tij Edvin Zalla, 31 vjeç, banues në fshatin Zallë; 26-vjeçari Fredjon Zalla, i akuzuar më parë për mbajtje pa leje të armeve e municioneve luftarake; Afrim Xhixha 35 vjeç, banues në fshatin Nikël të Fushë-Krujës; dhe Xhabir Vellku, 37 vjeç, banues në fshatin Budull. Gjatë njohjes me masën e arrestit asnjëri nga të arrestuarit nuk ka pranuar akuzën, ndërsa gjykata në përfundim të seancës ka dhënë masën e arrestit me 30 ditë burg për Bashkim Zallën, ndërsa për katër të tjerët Edvin Bashkim Zalla, Fredjon Zalla, Afrim Xhixhën dhe Xhabir Vellku, ka dhënë masën e arrestit burg pa afat.

Deklarimet

Në fjalën e tij Bashkim Zalala para gjykatës është shprehur se “sa herë kanë ndodhur në shpërthimet kam qenë në banesë dhe policia sa herë ka ushtruar kontroll në shtëpi aty më ka gjetur me gjithë fëmijët”. Madje, ai ka aluduar se “eksplozivi nuk mendoi se është vendosur edhe nga banorët e fshatit Zallë, por hedhja në erë e shtyllave dhe urave bëhet me qëllimin e vetëm, që në të mos kërkojmë pronën tonë, ku edhe është vendosur fabrika. Ne e kemi me vendim gjyqësor tokën të zënë nga fabrika. Shteti në vend që të na dëmshpërblente, futi firmën libaneze me koncesion për dhjetë vite. Ne jemi personat që e kemi ruajtur këtë fabrikë edhe në vitin 1997 dhe tani dhe ne nuk kemi interes që ajo të mos punojë apo të shkatërrohet. Ne jemi pronarët e tokës që e kemi të gjithë dokumentacionin dhe do vazhdojmë madje ta ruajmë fabrikën, për të kërkuar deri më një dëmshpërblimin dhe jo ta shkatërrojmë atë dhe as urat dhe as rrugët që lidhin fshatin me qytetin dhe nuk jemi të marrë që ne të hedhim eksploziv në rrugë, kur ne kalojmë në këto rrugë dhe mundet të dëmtohet ndonjë nga fëmijët tanë apo të afërmit tanë. Policia dhe shteti të gjejë prova, sepse sa herë ndodhin shpërthime në Zallë apo Fushë-Krujë, na arrestojnë ne”.

Të arrestuarit e tjerë

Asnjë nga të arrestuarit nuk ka pranuar akuzën, duke kërkuar pafajësi. Ndërkohë që organi i akuzës është shprehur se për Bashkim Zallën në vijim do të mbledhë provat dhe nuk ka provat e mjaftueshme për të kërkuar masën e arrestit me burg pa afat dhe ka kërkuar për këtë edhe 30 ditë kohë gjykatës. Ndërsa për të katër të arrestuarit e tjerë informacioni sipas akuzës është marrë në rrugë operative dhe në bazë të tabulateve të telefonave.

Pas dhënies së masës së arrestit, kanë reaguar edhe familjarët e të arrestuarve, duke paralajmëruar nisjen e protestave deri në bllokimin e rrugës nacionale, deri kur gjykata të japë drejtësi dhe do nxjerrë nga burgu të arrestuarit, pasi ata janë të pafajshëm. Masa e arrestit është marrë nën masa të rrepta sigurie nga ana e policisë së Krujës si dhe forcave speciale të ardhura nga Durrësi. Ndërsa gjykimi është bërë një e nga një, duke pyetur vetëm një e nga një të gjithë të arrestuarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›