E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edvini, adresat dhe “kutitë”!

Dihet se sistemi i qeverisjes tetëvjeçare (1997- 2005) mund të përkufizohet si qeverisje tërësore e dështimit të qeverisjes socialiste. Për pohimin e kësaj të vërtete mund të citohet si dëshmitar vetë Edvin Kristaq Rama. Ky njeri vetëm në këtë pikë mund të jetë i besueshëm; sepse është aq inkoherent sa mund të quhet personifikimi i mosbesimit. Së paku dy-tri episode skandaloze mund ta provojnë kryekëput këtë pohim. Së pari, ajo përçapja e bujshme e tij, në fillim të proceseve demokratike, kur ai shpërtheu me një fjalor të shfrenuar dhe me një lojë aktoriale bubulluese, për të bërë fizionominë e regjimit enverist të saporrëzuar, në tribuna të ngritura spontanisht, në të cilat ai, - ç’është e vërteta, - ngjitej i paftuar. Atje s’la fjalë pa thënë për kriminalitetin e Enver Hoxhës; për terrorizmin e tij; për izolimin për synime karrieriste që i shkaktoi vendit tonë; për lidhjen me verdhacukët aziatikë (që portretizonin kinezët dhe kinezëritë) dhe, pastaj për izolimin tërësor, duke u prishur edhe me kinezët. Dhe, në kulmin e varfërisë dhe të zisë së tallonave që solli si pasojë, e stigmatizoi komunizmin si predikues të ushqimit me bar, vetëm që “parimet” (maksiste-leniniste), mos të flijoheshin! Për antikombëtarizmin e Enverit u solli në kujtesë shqiptarëve lidhjet me emisarët e Titos, që e kishin katandisur kreun e pushtetit komunist shqiptar si vasal të paskrupullt, gjer në shpërthimin e luftës vëllavrasëse, në funksion të zhvatjes së pushtetit vetjak.
Ndokush do t’i ketë regjistruar fjalët e tij që dilnin jashtë çdo orbite. Dhe do të ishte mirë që të riprodhoheshin tani ad literam që të kuptohet më qartësisht se në ç’duar ka rënë PS-ja e sotme. Në të vërtetë ky person i duhej së majtës ekstremiste shqiptare, e majtë e cila s’ka asnjë përgjasim me të majtën europiane e më gjerë, gjersa ky grupim i së keqes e përthithi si me magnet, me llogaritë e tij se një gjysmë i lajthitur si ai ishte personi më adapt për të fshehur krimin komunist, për të mbuluar sa më mirë mëkatarët e ngarkuar rëndshëm me krimet e diktaturës, për aftësitë e manipulimit me fjalët që bien ndesh diametralisht me veprimet në praktikën e përditshme. (Le të kemi parasysh fjalën e bastarduar transparencë!).
Sesa besnik është ai ndaj fjalës “transparencë”, këtë mund ta thotë me mjaft kompetencë elita e tij partiake nën emblemën e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, që u shndërrua në Lëvizjen për ndrydhjen e mendimit ndryshe.
Por na duhet të shfaqim edhe dy episodet e tjera. Së dyti inkoherenca e tij është vulosur brenda atij vëllimi të çakërdisur që e ka titullin “Refleksione”. Në këtë libër kuptohet se autori është i njëmendjeje me ata historianë të pakët që kanë argumentuar se Lëvizja Nacionalçlirimtare degjeneroi në luftë civile, me urdhër të Miladin Popoviçit dhe të Dushan Mugoshës. Doemos, gjaku i shqiptarëve ishte i huaj për ata emisarë. Por edhe Enverit s’kishte përse t’i dhimseshin shqiptarët e pafajshëm të rënë fli, në këmbim të premtimit të nënkuptuar se E.H.-a do të ishte pa rival, në krye të pushtetit komunist! Vetëm një ekstravaganti si Ed Rama, ekstremistët mëkatarë majtistë shqiptarë, që e kishin në fijet e tyre si një marionetë, ia falnin këtij të çarturi një blasfemí të tillë, - të pranimit të luftës civile, - për hir të këtyre shërbimeve që ai ka provuar se është më gjendje t’u bëjë, në raste kritike, si ato të tanishmet.
Le të vijmë, tani, së treti, te tregimi i tij për mituraken Ina (“Ina, hiqi brekët”), të botuar në një antologji të Ardian Klosit. Dihet se antologjitë bien në dorë edhe të adoloeshentëve, madje edhe të moshave më të vogla. Ata që mbrojnë verbërisht Edvinin, le t’i japin një përgjigje kësaj pyetjeje: - “A do të pranonin që t’i lejonin për lexim vajzës së tyre të shkollës 9-vjeçare, një tregim të tillë, që flet edhe për masturbime kolektive në bunkerët që, tashmë, vetëm për punë të tilla mund të shërbejnë?”.
* * *
Tani vijmë te sistemi i adresave, që gjatë atij tetëvjeçari të mbrapshtë ishte thuajse inekzistent. Si shumë veprime të mira që janë bërë gjatë qeverisjes së dr. Berishës, edhe ky sistem adresash që është në përfundim, po jetësohet në ditët e sotme. Tani po vihen në zbatim dy vendime të Këshillit të Ministrave, me të cilat do të bëhet lidhja e kryefamiljarit të çdo banese me regjistrin e sistemit të adresave në gjendjen civile. Sistemi i adresave gjatë tetëvjeçarit të dështuar ka qenë në një kaos tërësor. Sepse nuk ishin të pakta rrugët pa emër të kryeqytetit, për shkak të zgjerimit demografik. Tani parashikohet që çdo rrugë do të ketë një emër dhe çdo godinë do të ketë një një numër unik. Mungesat në këtë drejtim janë në përgjegjësinë e Bashkisë së Tiranës, e cila është drejtuar “me korrespondencë”, nga kryetari i këtij institucioni. Këtij kryetari nuk i dilte koha për t’u interesuar veçse për lejet e ndërtimit! Mjafton të thuhet se edhe tani Bashkia e Tiranës ka ende 130 rrugë të paemërtuara.
Mund të merret me mend sesi bëheshin zgjedhjet në kohën e atij tetëvjeçari që e ka mallkuar, më tepër se kushdo, Edi Rama. Listat zgjedhore, që quheshin “listat e Bashkim Finos”, përmendeshin me tallje; se gruas i dilte emri në Kombinat, ndërsa burrit në Kinostudio! Për shkak të adresave të munguara është vërtetuar se shumë zgjedhësve që identifikoheshin si “demokratë”, gjendeshin jashtë liste! Të tjerëve, gjithmonë sipas të këtij kriteri selektiv, nuk u jepeshin vërtetimet nga minibashkitë, me pretekstin se duhej të paguanin shuma të papërballueshme për papastërtinë dhe për gjelbërimin!
Nëse fjala “kuti” sot zhurmon e shurdhon në domethënien e një rebusi ileqar, atëherë duhej të sensibilizohet dyfish e vërteta e pamohueshme se faktori ndërkombëtar i kishte vënë në dukje në zgjedhjet e para 2005-s parregullshmëritë zgjedhore të njëmendta, jo si sajesa artificiale “kutish” për interesa vetjake, ndërsa i kishte cilësuar si “nga më të mirat e tranzicionit” ato të 2009-s!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›