“Korbi” i Ezopit dhe “i Paudhi” i PS-së
Ezopi, fabulisti i famshëm grek, e ka parashikuar këtu e 26 shekuj më parë fatin e kreut të PS-së, Edvin Rama, qëkurse shkroi për korbin e sëmurë. “Një korb u sëmur rëndë, -tregon Ezopi. -Kur pa nënën e tij të qante me dënesa, i tha: -Mos qaj, nënë, por lutju perëndive të më shërojnë. -Dhe nëna ia ktheu: -Cilës perëndi t’i lutem, o bir, të të shërojë? Ti s’kë lënë ndonjë perëndi pa i rrëmbyer mishin nga altari i flijimeve”.
Rama, i ka kërkuar, këto ditë, jo vetëm “nënës” por edhe “njerkës”, t’u luten “perëndive” të të gjithë botës moderne, që ta shpëtojnë nga vdekja politike, për paudhësitë e tij të patreguara ndaj procesit të liberalizimit të vizave dhe çështjes së integrimit euro-atlantik të shqiptarëve në përgjithësi. Media të ndryshme në Shqipëri, por edhe në botë kanë sjell lajme drithëruese dhe kanë bërë komente të ashpëra lidhur me veprimet e paskrupullta të Edvin Ramës për të kushtëzuar apo penguar lëvizjen e lirë të shqiptarëve në hapësirën “Shengen”, brenda këtij viti; veprime të cilat shkojnë deri tek përdorimi i parave të pallateve për të blerë politikanë me influencë apo kompani të ndryshme që të lobojnë kundër interesave europiane të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Në një letër që kreu i PS-së, Edvin Rama pretendon se u ka dërguar zotërinjve Joseph Daul, President i Grupit të PPE-së dhe Martin Schulz, President i Grupit të PES; u lutet atyre që t’i qëndrojnë pranë në këto ditë të vështira për të ardhmen e tij politike, që, siç është kuptuar, tashmë, në çdo cep të globit, nuk ka lidhje me të ardhmen integruese të qytetarëve shqiptarë, por me të shkuarën izoluese të tyre. Madje, këto dy lloj interesash janë diametralisht të kundërta me njëra-tjetrën, pavarësisht demagogjisë bolshevike dhe retorikës politike që përdor Edvin Rama për të kamufluar paudhësitë e tij skandaloze.
“Më e keqe se ç’është, duket e keqja e fshehur”, thotë Marciali, megjithëse në rastin konkret, pjesërisht për arsye të papjekurisë dhe përgjithësisht për shkak të ligësisë, çdogjë është tejet e lexueshme dhe e drejtpërdrejtë. Do të ishte gjysma e së keqes sikur kreu i PS-së ta përmbante veten në çastet solemne, megjithëse Graf na mëson që: “patriotizmi i vërtetë nuk është ai që kërkohet dhe mburret në çastet solemne, por ai që çdo ditë e çdo orë kujdeset pa u lodhur për të mirën e përgjithëshme dhe nuk mburret me këtë”. Por Rama edhe në çastet solemne nuk ka arritur që t’i fshehi synimet e tij të mbrapshta kundër interesave të përbashkëta të të gjithë shqiptarëve, që lidhen me mbarvajtjen e procesit të integrimit euroatlantik të vendit tonë, duke filluar me momentin e nënshkrimit të MSA-së, marrjen e ftesës për anëtarësimin në NATO, dorëzimin e kërkesës për statusin e vendit kandidat, marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave, etj.
Kështu, Ramës nuk po i hyjnë më në punë; as eksperienca e etërve apo dajallarëve byrositë, që të “vrisnin natën e të qanin ditën” dhe as oratoria e tij spekulluese, për të cilën Izokrati thotë se, “gojëtaria është të zmadhosh gjërat e vogla dhe të zvogëlosh të mëdhatë”. Shqiptarët po ndërgjegjësohen, pak e nga pak, për paudhësitë e kreut të PS-së, falë edhe qëndrimit konseguent të ndërkombëtarëve kundër këtyre qëndrimeve. ”Mund ta mashtrosh një pjesë të popullit përherë; mund të mashtrosh tërë popullin për një farë kohe, por është e pamundur të mashtrosh tërë popullin përherë”, thotë Linkoln. Rama nuk arriti ta bënte një gjë të tilla as me “popullin e majtë”, pa pjesa tjetër e shqiptarëve u nda me të që në fillim të viteve nëntëdhejtë.
Grupime të ndryshme të “popullit të majtë” filluan të distancohen menjëherë prej kreut të tyre, sapo panë që ai këshillonte “luftë” edhe kur s’duhej, duke shkuar vetë në fund të rreshtit. Rastet më pikante në këtë drejtim janë moskryesimi i listës së kanditavëe socialistë për deputetë dhe grevës së urisë në sheshin “Dëshmorët e Kombit”. Henriku IV thoshte se, “trimat e vërtetë janë të fundit që e këshillojnë luftën dhe të parët që e bëjnë”. Ndërsa Rama ishte i pari që e këshillonte dhe e fundit që e bënte, duke i çuar “mish për top” apo “me lugë më brez” të gjithë ushtarët dhe mercenarët e tij, duke menduar se “deti ishte bërë kos”.
Në ceremoninë e organizuar me rastin e 19-vjetorit të ndryshimit të emrit të Partisë së Punës-së në Parti Socialiste, Rama u tha të pranishmëve se, “në 2013 PS-ja do të jetë patjetër në pushtet”. Por e vërteta është se, koha dhe kryesisht ai vetë nuk po punojnë për pushtetin e socialistëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, madje as për ato të dekadës së ardhëshme, nëse PS vazhdon të drejtohet më tej prej Edvin Ramës. As shqiptarët, por as ndërkombëtarët, të cilat ja hoqën përfundimisht vizën e të ardhmes politike Ramës, këto ditë, nuk mund të lejojnë këtë njeri “të çmendur”, siç do ta quante Publil Siri, që “…duke qënë i paaftë të veten, kërkon të qeverisë të tjerët”. Por “i çmenduri” i shkrimtarit romak të shekullit I, para erës së re apo më mirë të themi, “i ligu” ynë i sotëm synon të dalë jo vetëm “i fituar” por edhe “i larë” nga gjithë kjo paudhëi, duke kërkuar të përgojojë ata, që realisht janë për t’u përgëzuar: -Berishën dhe komunitetin ndërkombëtar.
“Ai që bën keq, i urren njerëzit”, thotë Fergyson. Por urrejtja e Ramës ka marrë përmasa ndërkombëtare, duke u shtrirë edhe mbi miqtë dhe dashamirët tanë në botën e qytetëruar, pse jo dhe mbi institucionet e saj. Djegia e flamurit të NATO-s në protestat aspiruese të grevës së PS-së, para dy majësh, ishte kulmi i urrejtjes që Rama dhe klani i “çunave të Bllokut” kanë me përfaqësuesit e këtij institucioni të rëndësishëm politiko-ushtarak në botë për shkak se i hapën udhë anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Një “inkuzicion” të tillë, por këtë herë me fjalë të zjarrta revolucionare, i rezervuan Rama dhe mediat e kontrolluara prej tij, kreut të PPE-së për shkak se këmbënguli deri në fund lidhur me vendimin e Parlamentit Europian, për liberalizimin e vizave afatshkurtëra të shqiptarëve në zonën “Shengen”, brenda këtij viti. Këtij tërbimi politik të kreut të PS-së nuk i kanë shpëtuar as Presidenti i Asamblesë Parlamentare të KE-së që u cilësua si “i papjekur” apo zoti Fule që u konsiderua “i paaftë” e kështu me radhë, deri tek kryeministri Berluskoni dhe presidenti Sarkozi.
Ky është një tërbim që vjen nga lëngimi i pashpresë i Ramës në politikë, si “korbi” i Ezopit, për shkak të paudhësive të tij të panumërta në kurriz të Shqipërisë dhe shqiptarëve, për të cilat janë bërë koshientë prej kohësh edhe ndërkombëtarët. Kjo “sëmundje” e mposhti kreun e PS-së, për shkak se ai nuk dëgjoi as këshillat mjekuese të ndërkombëtarëve, jo më ato të politikanëve të pjekur shqiptarë, të cilat ishin tërësisht të sinqerta, përderisa të tilla, madje shumë tolerante, u vlerësuan dhe ato të kundërshtarit të tij politik, z. Sali Berisha. “Në politikë, -thotë Stefan Cvajg, -këmbëngulja e shtruar fiton gjithmonë mbi forcën e shfrenuar, plani i përpunuar me kujdes mbi vrullin e improvizuar, realizmi mbi romantikën”.