Në përkujtim të Masakrës ndaj shqiptarëve të pafajshëm të Çamërisë
Koha kalon, por historia nuk harron
Kjo javë shënon një përvjetor te hidhur për historinë shqiptare, atë të gjenocidit nga forcat greke ndaj popullsisë civile e të pafajshme të shqiptareve të çamërisë. Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore solli tragjedi katastrofale humane për shqiptarët. Për njërën nga këto tragjedi, d.m.th. atë të masakrës së Tivarit shkrova një artikull para disa javësh. Një tjetër katastrofë tjetër për shqiptarët ishte edhe masakra e popullsisë së pafajshme civile të shqiptarëve të çamërisë nga forcat e rregullta ushtarake të gjeneralit grek Zerva. Vrasja, kryesisht e grave dhe fëmijëve shqiptarë nga çamëria, 66 vjet më parë, ishte një gjenocid i planifikuar me qëllim për të boshatisur krahinën shqiptare të çamërisë nga popullata shqiptare, aspak ndryshe nga planet e çubriloviqit për të detyruar largimin e popullsisë shqiptare nga Kosova, në fillim të shekullit të kaluar, për të vetmin "krim" se ishin shqiptarë.
Gjatë dy luftërave botërore të shekullit të kaluar, fqinjët tanë në jug grekët, bënë çdo gjë për të eliminuar shqiptarët nga çamëria, duke përdorur dhunë, duke djegur katundet e tyre, duke vrarë e duke prerë. Në veri, fqinjët tanë serbët vepruan njësoj - me dhunë e terror - për të detyruar shqiptarët të largoheshin nga trojet e tyre. Në fund të shekullit të kaluar, serbët pasuruan fjalorin botëror me fjalët "spastrim etnik", si rezultat i politikës së tyre shfarosëse në Kosovë dhe në Bosnje. Krimet e Serbisë në Kosovë dhe në Bosnje janë dënuar nga mbarë bota dhe shkaktuan ndërhyrjen e Aleancës së NATO-s për të ndaluar vrasjen dhe shpërnguljen me forcë të popullsisë shqiptare nga Kosova. Masakra e shqiptarëve të çamërisë, si edhe ajo e Tivarit dhe të tjera si këto, ende presin për drejtësi.
Fjala e deputetit dhe Kryetarit të Partisë për Drejtësi dhe Unitet, z. Shpëtim Idrizi në Kuvendin e Shqipërisë para dy tri ditësh, si dhe shpallja e përkujtimeve të tjera me rastin e përvjetorit të masakrës së shqiptarëve të çamërisë, është një fillim i mirë drejtë zbardhjes së kësaj tragjedie. Zoti Idrizi tha: "ne nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi, derisa të dënohen ata që kryen krimet e përbindshme që njollosin çdo ndërgjegje njerëzore, pavarësisht kombësisë. "Guximi i deputetit Idrizi duhet duartrokitur dhe përshëndetur. Nuk duhet pasur frikë nga përpjekjet për të zbuluar këtë të vërtetë si edhe për të zbardhur krime të tjera ndaj kombit shqiptar. Jam i bindur se me këtë nismë, deputeti Idrizi, si edhe shumë të tjerë të vullnetit të mirë, si jashtë ashtu edhe anë e mbanë trojeve tona në Ballkan, nuk dëshiron të shtojë inatet e huqet e vjetra dhe as të shkaktojë mosmarrëveshje të reja me fqinjët tanë. Por, siç thotë fjala popullore, "Dielli me shoshë nuk mbulohet", prandaj në emër të të drejtave të njeriut, të nderit dhe burrërisë shqiptare, të përkrahet deputeti Idrizi që "çështja çame" dhe të tjera si ajo, nga jugu në veri, të mos mbeten më në heshtje.
Shqiptarët nga çamëria që humbën jetën nga dora mizore greke 66 vjet më parë, ishin bijtë e bijat më të mira të atdheut, vëllezër e motra të një gjaku, siç ishin edhe viktimat e masakrës së Tivarit. Nga mënyra se si vdiqën, ata treguan një heroizëm vetëmohues, duke i ndejtë besnik identitetit dhe dinjitetit të tyre kombëtar, si edhe besës, nderit e burrnisë shqiptare.
Le të jemi të denjë për sakrificën maksimale të këtyre heronjve, pasi kujtimi i tyre dhe zbardhja e rrethanave të martirizimit të tyre do të frymëzojë brezat e ardhshëm të kryejnë vepra të mira e të mbara për kombin shqiptar, për fqinjët tanë dhe për mbarë njerëzimin. Viktimave të këtyre masakrave nuk u janë ndërtuar përmendore tek varrezat e tyre, pasi nuk dihet se ku janë varrosur eshtrat e tyre, por ata kujtohen në zemrat e gjithë shqiptarëve të mirë.