Aparatura e gjakut, kompanitë ankohen për kushtet e tenderit
zirina llambro
Bizneset ankohen për procedurat tenderiale të aparaturave të reja, që do të blihen në qendrën kombëtare të kontrollit të gjakut. Drejtori ekzekutiv “Swissmed”, njëra prej kompanive pjesëmarrëse në tender, Aldi Shehu denoncon se i gjithë procesi po zhvillohet në mënyrë të tillë, duke favorizuar vetëm një kompani dhe duke bërë monopol gjithë shërbimin e qendrës së vetme kombëtare të dhurimit të gjakut. Kompania e dytë që ankohet për shkelje është “Bio-chem”. Tenderi pritet të zhvillohet ditën e premte. Sipas përfaqësuesve të këtyre kompanive, ditët e fundit ka dalë jashtë funksionit edhe sajti i Ministrisë së Shëndetësisë, ku mund të depozitohet ankesa, çka përjashton automatikisht këto kompani nga e drejta ligjore për t’u ankuar për shkelje. Bëhet fjalë për blerjen e aparaturës NAT, e cila mundëson kontrollin e gjakut me metodën e biologjisë molekulare dhe ul periudhën dritare të detektimit të infeksioneve virale si HIV, HCV, HBV. “Udhëzimet e Komunitetit Europian janë të qarta: Në qendrat e gjakut duhet të jenë dy metoda për kontrollin e cilësisë së gjakut. Këtu të dyja metodat i kontrollon dhe administron vetëm një kompani. Pra nuk ka oponencë nga një kompani e dytë. Kjo hap shtigje për spekullime qoftë në cilësinë e gjakut, qoftë dhe në sasitë dhe mënyrat e kontrollit të gjakut me njërën ose tjetrën metodë”, thotë drejtori ekzekutiv i Swissmed. Sipas tij kjo do të thotë që në një moment të caktuar, kompania e vetme fituese të operojë më shumë me metodën që ka interes më të madh ekonomik, duke abuzuar në kushtet dhe standardet shkencore të kontrollit të cilësisë së gjakut me metodën tjetër, e cila mund të ketë kosto tjetër por garanton cilësi të lartë, sidomos po të kemi parasysh për agjentë të tillë infektivë si HIV (SIDA), HBV, HCV, që janë “kanceri” i kohës që jetojmë. Një tjetër shkelje, sipas tij, është edhe vendosja e specifikimeve teknike të tilla që i përmbush vetëm një kompani. ”Në të gjitha pikat e specifikimeve teknike përdoret fjala “duhet” dhe jo preferohet, që do të thotë se ky është urdhër. Nuk ka dritare për konkurrencë”, thotë Aldi Shehu. Ndërkohë, sipas tij, po kësaj kompanie i kanë krijuar favore dhe lehtësira në kitet (reagentet) që do të përdoren. Këto lehtësira janë të tilla që ndikojnë në cilësinë e kontrollit të gjakut dhe sidomos me rrezikun e kontaminimit të tij. “Bazuar mbi të gjitha këto, kompania Swissmed dhe Bio-chem, në bazë të ligjit për prokurimet publike, ka të drejtën e ankimimit pranë Autoritetit Kontraktor. Brenda kritereve dhe kohës të caktuar nga ligji u bë ankimimi në adresën e-mailit të shpallur në dokumentet e tenderit nga Autoriteti Kontraktor në faqen 3. Mbas interesimit që u bë në Ministrinë e Shëndetësisë, sot me datë 8 qershor 2010 nga dy kompanitë ankimuese rezultoi, sipas punonjësve të Drejtorisë së Prokurimeve, që ditët e fundit faqja e internetit dhe e-maili për ankimimet ishte jashtë funksionit. Ndërkohë në serverat e këtyre dy kompanive, ekziston i arshivuar e-maili i animimit, të cilin në një moment të caktuar do t’ia paraqesim Autoritetit Kontraktor”, thekson drejtori ekzekutiv i kompanisë Swismed. Ai thekson se për të gjitha pretendimet, duhet të jepet një përgjigje nga ata që e kanë sajuar këtë tender. “Duam të theksojmë që NAT është një metodë që ka bërë revolucion në kontrollin e cilësisë së gjakut. Le të shpresojmë që kjo do të bëjë revolucion edhe në kontrollin e cilësisë së gjakut, edhe në kontrollin e ligjshmërisë së prokurimit për këtë metodë”, tha Shehu.
73 milionë lekë
është vlera e tenderit që do të zhvillohet ditën e premte, për blerjen e aparaturës që kontrollon nëse gjaku është i infektuar.