Votimi elektronik në zgjedhjet e 23 qershorit, sot testi nga KQZ-ja
Tiranë- Ditën e sotme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe firma spanjolle INDRA do të zhvillojnë testin për Sistemin Elektronik të Numërimit të Votave.
Sipas njoftimit të zyrës së shtypit në KQZ sistemi elektronik do të realizohet në zgjedhjet e 23 qershorit në qarkun e Fierit.
Mësohet se testi do të zhvillohet në Tiranë, në mjediset e shkollës ‘Hasan Prishtina’, ku do të marrin pjesë dhe përfaqësues të trupit diplomatik, OSBE, NDI, KiE etj.
KQZ-ja bën me dije se sasia e fletëve të votimit në këtë testim paraprak, që fillimisht do të plotësohen dhe më pas do të numërohen, do të jetë rreth 6000 copë. Sipas këtij projekti, për të simuluar procesin e votimit, do të përzgjidhen grup-mosha të ndryshme zgjedhësish, si studentë, zgjedhës që votojnë për herë të parë, zgjedhës të moshës së tretë etj.