“Votimi i 16 vjeçarëve, opsion për zgjedhjet e ardhshme”

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth duke komentuar deklaratën që kryeministri Berisha bëri një ditë më parë për uljen e moshës së votimit, me qëllim lejimin e 16-vjeçarëve për të votuar, tha se nuk ka kohë, por mund të jetë një mundësi për zgjedhjet e vitit 2017. Në prag të zgjedhjeve të qershorit ambasadori i OSBE-së vlerëson se vetëm pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet ndaj rëndësi ka një atmosferë e qëndrueshme në vend. “Ndoshta mund të jetë një opsion për të ardhmen, në 2017-n. Sepse asgjë nuk është e gdhendur në gur. Mund të diskutohet dhe kjo është një çështje që duhet të diskutohet gjerësisht në publik dhe në parlament. Dyshoj se nuk ka kohë për ta bërë këtë deri në qershor, pasi na ndajnë tre muaj nga zgjedhjet dhe, me sa di, lista e votuesve, që tani quhet ekstrakt, është gati. Gjithashtu, do të doja të shtoja se është shumë e rëndësishme të kemi një situatë të qëndrueshme përpara zgjedhjeve e të mos ndryshohen gjërat. Për shembull, kur ngrihen çështje se a duhet ndryshuar apo jo emri i një komuniteti pikërisht përpara zgjedhjeve; përse duhet të ndryshohet një gjë kaq e rëndësishme vetëm disa javë përpara Ditës së Zgjedhjeve?”, deklaroi ambasadori pas tryezës së "Kuvendit Civil 2010", duke shtuar se nuk është në dijeni nëse ka ndonjë propozim zyrtar për këtë çështje.
Kryeministri i vendit Sali Berisha kërkoi dje uljen e moshës së votimit në 16-vjeç. Gjatë mbledhjes së grupit të PD-së Berisha i kërkoi kreut të grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi nisjen e negociatave me grupet parlamentare për nismën e kërkuar prej tij.