E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gjyqtarët të ashpërsojnë vendimet për krimet ordinere”

13-03-2013 / Gazeta 55

Nënkryetari i KLD, Elvis Çefa në Gjirokastër

Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Cefa, deklaroi nga Gjirokastra se, “publiku ende mendon se gjyqësori është ndër sektorët më të korruptuar dhe kjo duhet të obligojë gjyqtarët që të përmirësojnë punën e tyre, të rrisin cilësinë e gjykimit, si dhe ashpërsinë e vendimeve ndaj krimit ordiner, i cili po cenon sigurinë publike”.
Gjatë analizës së punës së Gjykatës së Shkallës së Parë të Gjirokastrës, për vitin 2012, numri dy i institucionit më të lartë të drejtësisë shqiptare, tha se gjykata mbetet institucioni më problematik, për sa i përket korrupsionit.  
“Në bindjen time personale dhe jo vetëm, realiteti në fakt nuk është kështu. Jam i bindur që perceptimi është krejtësisht ndryshe nga ajo ç’ka ndodh në fakt. Ky perceptim në publik shpesh herë vjen nga niveli ose pamundësia objektive e atyre njerëzve për të kuptuar çfarë do të thotë të japësh drejtësi”, pohoi Cefa.
Duke analizuar punën që ky institucion ka bërë gjatë vitit të kaluar, kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë të Gjirokastrës, Desart Avdulaj, foli për një nivel në rritje të kriminalitetit gjatë vitit që lamë pas. Avdulaj bëri të ditur se  ky institucion ka gjykuar 2882 çështje, nga 3147 të tilla që janë regjistruar për vitin 2012. 
“Numri më i madh i çështjeve të gjykuara janë të fushës civile, ku janë regjistruar 2284 të tilla, ndërsa në fushën penale janë regjistruar 863 të tjera, prej të cilave, 59 çështje kanë pasur vonesa tej afateve të gjykimit”, theksoi Avdulaj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›