Elbasan, lista e pronarëve gati në 1 gusht
Elbasan- Agjensia e Legalizimeve në Elbasan ka deklaruar se në 1 gusht do të depozitojë pranë Këshillit të Ministrave listën e plotë të dosjeve të pronarëve, tokat e të cilëve janë zënë me ndërtime pa leje. Kryetari i Agjensisë së Legalizimeve në Elbasan, Ditor Musai tha se një grup prej 20 ekspertësh janë duke punuar dhe brenda këtyre ditëve kjo listë është në përfundim. Sipas tij mbyllja e procesit të hartimit të listave për kompensimin e ishpronarëve do ti hapë rrugën edhe legalizimit të zonave informale.
“Përkatësisht me ndryshimin e ligjit, ne si drejtori më datë 1 gusht do të dorëzojmë në qeveri listën e pronarëve, me qëllim që Këshilli i Minsitrave të marrë vendimet përkatëse për kompesimin e tyre monetar”- tha ai. Nga kjo agjensi bëhet e ditur gjithashtu se specialistëtkanë përfunduar zonën kadastrale 8521 që ka rreth 660 ndërtime dhe janë në mbyllje të verifikimit për zonën kadastrale 8522 ku edhe kjo zonë ka rreth 600 ndërtime informale.
Nga Kreu i Lehgalizimeve ngrihet si shqetësim vazhdimi i ndërtimeve informale. Po sipas Musait këto grupe pune që janë krijuar, me këto ekspertë të kualifikuar do të normohen ose do të kenë detyra ditore të përcaktuara saktë, që konsistojnë në matjene objekteve, hartimin e gent–planeve, dhe planimetrisë në mënyrë dixhitale.
Deri në fund të vitit Drejtoria Rajonale e ALUIZNI do të përfundojë dokumentacionin teknik dhe ligjor dhe do t’i japë lejet e legalizimeve 4000 qytetarëve të Bashkisë Elbasan dhe dy rrethinave, Bradashesh dhe Labinot Fushë.
Ndërsa për rrethet e tjera të qarkut si në Peqin, Gramsh e Librazhd Musai shton se “deri në fund të vitit do të plotësohet dokumentacioni i mësipërm dhe do të jepen lejet e legalizimit për 2500 ndërtime”.
Në të gjithë qarkun e Elbasanit në total janë rreth 18700 ndërtime informale të cilat tashmë presin dritën e legalizimit, të çertifikimit si ndërtime formale për të dalë nga skema e informalitetit.