Me buxhetin e Tiranës, Edi Rama paguan familjen e Skënder Gjinushit
Akuzat e LSI-së
Gruaja e Skënder Gjinushit e merr pagën nga bashkia e Tiranës, paçka se që nuk shkon asnjë ditë në punë. Të njëjtën gjë bën edhe djali i tij, i cili gjithashtu nuk ështën paraqitur kurrë tek dera e godinës së bashkisë
TIRANE - Lëvizja Socialiste për Integrim nuk e voton buxhetin e vitit 2008 të bashkisë së Tiranës pasi në zërat financiarë të tij, mes të tjerash janë parashikuar edhe fonde pagash për familjarë të Skënder Gjinushit, kryetar i Partisë Socialdemokrate.
Deklarata u bë dje në selinë e LSI Fier, nga deputeti Dritan Prifti njëkohësisht edhe sekretari i Përgjithshëm i LSI-së (Lëvizja Socialiste për Integrim) duke dashur siç tha, të shpjegojë arsyet pse nuk e voton LSI-ja buxhetin e bashkisë së Tiranës. “Plot 55 përqind e buxhetit të bashkisë Tiranë shkon për rrogat e punonjësve. Pjesa tjetër e këtij buxheti duhet të shkojë për shërbime e investime për qytetarët e Tiranës”, ka pohuar Prifti, duke theksuar se “për ne kjo gjë është e papranueshme”.
Duke vlerësuar se administrata e bashkisë Tiranë është tej mase e fryrë, për interesa politike”, Prifti lëshoi akuzën tjetër: “Gruaja e Skënder Gjinushit merr pagën nga bashkia Tiranë ndërkohë që nuk shkon asnjë ditë në punë dhe të njëjtën gjë bën edhe djali i tij, i cili edhe ky merr rrogën nga bashkia e Tiranës”. Akuzat e Priftit, u ashpërsuan kur tha se “Rama i përdor paratë e qytetarëve të Tiranës për të blerë influenca politike”, duke konkluduar se “ndaj ne nuk mund ta votojmë këtë buxhet”. Kurse duke hyrë në shifra, Prifti tha se “një fond prej 14 milionë eurosh është i pa detajuar”, dhe shtoi se, “Edi Rama kërkon që të ketë në dispozicion të tij 14 milionë euro dhe nuk është përcaktuar se për çfarë do të përdoret ky fond”.