E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urdhri i METE: Të nisë puna në minierë

Urdhri i dhënë dje nga Ministria e Ekonomisë, pas disa inspektimeve të Repartit të Inspektim- Shpëtimit të Minierave, ka bërë realitet kërkesën e minatorëve të Bulqizës për t’iu kthyer punës në galeri. Burime të sigurta informacioni bënë me dije se sot minatorët janë ftuar nga drejtuesit e ACR-së Bulqizë të nisin punën në nivelet 12, 13, 14, e 15, por jo në nivelin 16, pasi që nga shpërthimi i 18 tetorit, ky nivel nuk është kthyer në gjendje normale dhe rrezikon ende jetën dhe shëndetin e minatorëve. Disa herë, Sindikata e Minatorëve i ka kërkuar METE-s të mundësonte rifillimin e punës, pasi kushtet e tyre ekonomike ishin rënduar dhe të ardhurat në prag të festave të fundvitit ishin në nivele minimale. ACR ka porositur drejtuesit e minierës dhe specialistët të bëjnë kujdes para fillimit të punës, duke kontrolluar me imtësi të gjitha frontet e punës, sidomos aty ku punohet për nxjerrjen e kromit. Specialistët e avari-shpëtimit janë porositur të kryejnë në çdo kohë matjet e nivelit të gazit në minierë dhe të ndjekin me vëmendje çdo situatë që mund të krijohet në nivelet e minierës. Nëse kërkesa e minatorëve të Bulqizës hyn në rrugën e zgjidhjes, ajo e metalurgëve të Burrelit nuk dihet se kur do të ketë të njëjtin fat. P.Hasa

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›