“Votimi të jetë i hapur, për të mos lejuar “zaptimin” e drejtësisë nga shërbëtorët e komunizmit”
Dekretet e Presidentit, flet Arben Imami
Ministri i Mbrojtjes Arben Imami ka deklaruar se vota e deputetëve që çoi në rrëzimin e kandidaturës së Vangjel Kostës, si anëtar i Gjykatës Kushtetuese ka qenë politike, përsa kohë rasti bënte pjesë në kandidaturat politike. Sipas ministrit Imamit, persona që kanë shërbyer në regjimin diktatorial nuk mund të jenë pjesë e Gjykatës Kushtetuese.
“Grupi parlamentar i PD-së e ka bërë të qartë, pa as më të voglën mëdyshje, se e konsideron të papranueshme ngjitjen në kupolën e sistemit të drejtësisë të çdo kandidature politike. çdo gjykatës që ka shërbyer apo është i përfshirë në dënime politike të kohës së regjimit, duhet të nxirret jashtë sistemit të drejtësisë”, tha Imami.
Ministri Imami vuri në dukje se mazhoranca e ka deklaruar hapur arsyen e rrëzimit të kësaj kandidature, duke theksuar se ky standard është sa transparent, aq edhe i patjetërsueshëm për mazhorancën.
Ndërkohë në lidhje me debatet për votimin e dekreteve të Presidentit për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Imami ka deklaruar se ai duhet të jetë i hapur.
Deklarata e Ministrit të Mbrojtjes Arben Imami vjen vetëm pak ditë pas rrëzimit të kandidaturës të Vangjel Kostës nga Parlamenti, për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, vendim ky i kontestuar shumë nga opozita.