E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votohen ministrat e rinj të kabinetit “Berisha” – parlamenti e mbyll sesionin nën shenjën e bojkotit të opozitës

21-07-2011 / Gazeta 55

Ministrat e rinj, Aldo Bumçi dhe Eduard Halimi janë votuar sot në parlament, ndërkohë që kryeministri Berisha ka kujtuar se bilanci i reformave parlamentare do të kishte qenë më i mirë, nëse opozita do të ndërpriste qëndrimet e veta antikombëtare, nëpërmjet bojkotit dhe bllokimit të reformave

Me 71 vota pro, parlamenti ka votuar sot emërimin e dy ministrave të rinj të kabinetit qeveritar. Aldo Bumçi do të jetë ministëri i ri i Kulturës, ndërsa Eduart Halimi është emëruar ministër i Drejtësisë. Po ashtu parlamenti ka votuar me 70 vota pro dhe 1 abstenim shkarkimin e Ferdinand Xhaferrit nga posti i ministrit të Kulturës. Dy ministrat e rinj, Aldo Bumçi dhe Eduart Halimi janë propozuar dy ditë më parë nga kryeminsitri Berisha dhe janë dekretuar sot nga presidenti Bamir Topi. Bumçi emërohet në krye të MTKRS, duke zëvendësuar Ferndinand Xhaferrin, ndërsa Eduart Halimi zëvendëson në krye të Drejtësisë, ministrin Bujar Nishani, i cili u transferua tek Ministria e Brendshme, vend i lënë bosh nga Lulzim Basha, pas kandidimit të tij për kryetar në Bashkinë e Tiranës. Me votimin e dy deputetëve të rinj të kabinetit qeveritar, parlamenti ka mbyllur punimet për këtë sesion parlamentar. Me fillimin e sesionit të ri në muajin shtator, pritet që në sallë të jenë edhe deputetë të opozitës, pas bojkotit që ata kanë zhvilluar në sesionin që sapo lamë pas.

Berisha: Falja, dhunti e një shteti që funksionon

Kryeministri Berisha ka deklaruar se nga heqja e taksës së makinave dhe falja e detyrimeve kanë përfituar qytetarët shqiptarë. “Falja është dhunti e një shteti që funksionon. Falja është virtyt i kodit moral të çdo shoqërie, të çdo shteti demorkatik”, u shpreh Berisha. Ai garantoi se qeveria ka marrë dhe ndërmerr reforma të vazhdueshme, me të cilat përpiqet për të ulur shpenzimet e domosdoshme të tyre në shërbime, që të mund të frenohet rritja e kostos së jetesës. Po ashtu kryeminsitri është ndaluar edhe në çmimet e telefonisë celulare, ku theksoi se çmimet aktuale janë 60-80% më të ulta se dy vjet më parë.

Bode: Ndryshimi i taksës së makinës, rregullon tregun

Ministri i Financave, Ridvan Bode gjatë fjalës së tij në Parlament, pak përpara se ligjvënësi të miratonte propozimet për paketën e re fiskale, ka sqaruar ndryshimin e ligjit të taksave. Duke u përqendruar tek heqja e taksave të makinave të përdorura ai theksoi se këto ndryshime nuk synojnë rritjen e të ardhurave në buxhet. Por sipas tij këto ndryshime synojnë disa politika aktive për të mbështetur industrinë e fasonëve dhe industrinë që përdorin mazutin dhe solarin si lëndë djegës. Po ashtu ministri i Financave theksoi se ndryshimi i taksës së makinës së përdorur bëhet për të vendosur rregullat e një tregu më funksionues. “Do të paguhet një taksë një herë në vit, shumë më e ulët nga ajo që paguhej deri më sot në doganë. Kjo taksë është sa gjysma e saj. 18% e kësaj takse për të ruajtur shumën që i është akorduar njësive vendore”, u shpreh Bode.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›