Votohet nesër imuniteti. PD: Rama voto pro endrrës evropiane
Tiranë- Kuvendi i Shqipërisë do të mbajë nesër seancën e shumëpritur parlamentare ku do të ndahet përfundimisht nëse do të kalojnë apo jo amendamentet kushtetuese që i hapin rrugë heqjes së imunitetit të zyrtarëve të lartë.
Një ditë para 6 gushtit të shumëpërfolur, Partia Demokratike nëpërmjet zëdhënëses së saj i ka bërë apelin e fundit Partisë Socialiste të votojë heqjen e imunitetit dhe të mos pengojë marrjen e statusit të vendit kandidat.
Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi ka theksuar se Partia Demokratike fton sërish kryetarin e Partisë Socialiste z.Edi Rama të mos bllokojë nesër heqjen e imunitetit dhe procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, por të lejojë grupin e tij që të votojë ligjin e miratuar me konsensus të plotë të perfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për heqjen e imunitetit, si një interes jetik i çdo qytetari shqiptar”.
Ajo i ka bërë thirrje z, Rama që nesër të bëjë realitet endrrën evropiane të shqiptarëve dhe të lejojë deputetet e PS-së të votojë pro heqjen së imunitetit.
Partia Demokratike fton kryetarin e Partisë Socialiste të mos bllokojë nesër heqjen e imunitetit për zyrtarët e vendit duke bllokuar kështu statusin e vendit kandidat, por të lejojë deputetët e Partisë Socialiste që me voten e tyre të shndërrojne 6 Gushtin në një fitore të vërtetë për të gjithë shqiptarët, përfaqësuesit dhe forcat e tyre politike. - tha ajo.
Ata me të drejtë presin që nesër të zgjedhurit e tyre të faktojnë para qytetarëve se ata me vullnetin e tyre do të votojnë heqjen e imunitetit, rrëzimin e murit të tij në mënyra që pas datës 6 Gusht askush të mos mund të perdorë imunitetin si mburojë për pasurimin të paligjshem duke fshehur taksat dhe tatimet apo duke u majmur me rryshfete apo trafiqe kriminale. - theksoi me tej Bardhi.
Vetëm pak orë kanë mbetur nga shanci i fundit, më i afërt në kohë, për kalimin e projektligjeve për imunitetet. 6 gushti, i shumë kontestuar nga socialistët, i përcaktuar jashtë kalendarit normal të punimeve parlamentare, është vendosur nga Konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare.
Sipas kushtetutës, nëse një projektligj për ndryshime kushtetuese rrëzohet duke mos marrë 3/5 e votave, rishikimi i Kushtetutës për të njëjtën çështje nuk mund të bëhet përpara se të ketë kaluar një vit nga dita e rrëzimit të projektligjit në Kuvend.
Partia Socialiste dhe kreu i saj kanë refuzuar të votojnë pro këtyre amanedamente, pavarësisht se drafti I paraqitur është konsensual, me arsyetimin se ndryshimet kushtetuese nuk duhet të përfshijnë vetëm heqjen e imunitetit të zyrtarëve, por të bëhen ndryshime të plota që lidhen edhe me emërimet e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë apo të asaj Kushtetuese.
/IDEA/