Votohet për masat e reformave

Senati italian të premten me 156 vota ‘për’ dhe 12 ‘kundër’ miratoi ligjin buxhetor, i cili përmban masa reformatore, synimi i të cilave është që të nxjerrin vendin nga kriza ekonomike, e cila pritet të kërcënojë gjithë eurozonën.
Berluskoni ka paralajmëruar se do të japë dorëheqje menjëherë pasi të dyja dhomat e parlamentit të miratojnë reformat.
Besohet se në krye të qeverisë kalimtare mund të vendoset ekonomisti Mario Monti, të cilin presidenti Xhorxho Napolitano para tri ditësh e ka emëruar si senator të përjetshëm.
Plani i reformave nënkupton zvogëlimin e shpenzimeve publike, rritjen e tatimeve, ngrirjen e pagave në sektorin publik deri në vitin 2014, shtrenjtimin e karburanteve dhe shitjen e pasurisë shtetërore.
Ndër masat e parapara është edhe ngritja graduale e kufirit për shkuarje në pension të të punësuarve në sektorin privat, nga 60 vjet në 65, në vitin 2026.
Kreu i FMN-së, Kristin Lagard ka përshëndetur “progresin e dukshëm”, të cilin Italia dhe Greqia e kanë arritur në luftën kundër krizës politike.
“Ajo çka ne dëshirojmë është stabiliteti politik dhe politika e qartë në të dyja vendet. Besoj se është arritur përparim i dukshëm”, ka thënë Lagard gjatë vizitës në Tokio.