E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Votoni PD që Rama të mos mbajë më peng integrimin”

10-05-2013 / Gazeta 55

Kryeparlamentarja Topalli dhe PD, apel të rinjve


Të rinjtë demokratë kanë organizuar sot një festën në Bulevard me rastin e 9 majit, Ditës së Europës. Me këtë festë, të rinjtë demokratë kërkuan votimin e tre ligjeve të bllokuara nga kryesocialisti Edi Rama. Në mënyrë simbolike ata ftuan Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli për të votuar në mes të qytetit të Tiranës, me karton jeshil tre ligjet për marrjen e statusit kandidat. Sipas kryetares së Kuvendit Topalli ato mbahen peng vetëm nga Edi Rama, i cili siç tha ajo po bllokon integrimin e vendit. Kryeparlamentarja më tej ftoi vajzat të votojnë për këto ligje. “Të gjithë pro, Edi Rama kundër, asnjë abstenim, miratohet. Ky është votimi më i bukur që unë kam patur ndonjëherë. Gëzuar festën e Europës, gëzuar festën tuaj”, tha ajo pasi pa që të gjitha vajzat kishin në dorë kartona jeshilë. Sipas Topallit, vota e të rinjve që votojnë për herë të parë do jetë për PD-në, me qillim sic tha ajo, që askush të mos mbajë peng rrugën e tyre drejt Europës. “Më 23 qershor ju do bëni të mundur me votën tuaj, ju votoni për herë të parë që askush më të mos guxojë ta marrë peng rrugën drejt integrimit. Ju më 23 qershor do votoni pro Europës, pro Shqipërisë në Europë, pro të ardhmes tuaj, pro Partisë Demokratike. Gëzuar festën e Europës të gjithëve”, vijoi Topalli. Me herët partia Demokratike nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook deklaroi se kjo parti do të vijojë punën për të bërë realitet ëndrrën europiane të qytetarëve, pasi Shqipëria dhe shqiptarët i kanë plotësuar kriteret për të marrë statusin e vendit kandidat që do të sjellë qindra miliona euro investime dhe krijojë dhjetëra mijëra vende pune. Në ditën e BE-së, sipas PD, qytetarët shqiptarë nuk mundën të festojnë plotësisht ëndrrën e tyre europiane. “Fatkeqësisht ky festim nuk është i plotë sepse tashmë për më shumë se 210 ditë, ëndrrat europiane të qytetarëve janë mbajtur peng nga z. Edi Rama. Arsyeja e vetme se pse ne sot nuk po festojmë Ditën e BE-së si një vend kandidat i BE-së është Edi Rama! Ai e pranoi se për Partinë Socialiste integrimi në BE tani nuk është përparësi, ndërsa bllokimi është. Ai tha “prisni deri pas zgjedhjeve” dhe më pas integrimi në BE ndoshta mund të jetë përparësi për Edi Ramën”. Në deklaratën e saj, PD vë në dukje dëmin që i është Shqipërisë. “Kanë kaluar më shumë se 200 që Edi Rama i ka bllokuar tre ligjet, e vetmja arsye që pengon rrugën drejt integrimit në BE. Dhe çdo herë që kuvendi është mbledhur gjatë këtyre 200 ditëve, Z. Rama i është kërkuar të miratojë tre ligjet, por çdo herë Z. Rama ka refuzuar. Në fakt, kur u dha dhe mundësia e fundit për të votuar tre ligjet, deputetët e Edi Ramës as që nuk ishin aty fare, sepse u larguan. Pas bllokimit të integrimit të Shqipërisë në BE për 3 vjet, Z. Rama po bllokon integrimin e Shqipërisë në BE me 3 ligjet”. Sipas PD-së, kryesocialisti Edi Rama e ka pranuar se ai nuk ka patur asnjë arsye domethënëse për kundërshtimin e bërë ndaj secilit prej tre ligjeve, por megjithatë përsëri i ka bllokuar ato. “Madje edhe kur Edi Ramës iu tha se nëse këto ligje do të miratoheshin ne do të ishim një vend kandidat i BE-së, ai as që e mori parasysh t’u jepte qytetarëve mundësinë për të bërë realitet ëndrrën europiane”. Partia Demokratike deklaron se ka nisur dhe ka vënë në zbatim një plan veprimi për hyrjen e Shqipërisë në BE. Kjo parti zotohet se do të vazhdojë punën për t’i dhënë fund bllokimit dhe për të bërë realitet ëndrrën europiane të qytetarëve

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›