E Diel, 1 Nëntor 2026

Vranë 17-vjeçarin, në pranga 4 adoleshentë

PATOS/ Policia ka ndaluar 4 të rinj të moshave 16-17 vjeç si autorë të një vrasjeje me thikë dhe një plagosje, ngjarje e ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të martës


PATOS - Policia ka ndaluar mëngjesin e djeshëm katër të rinj të moshave nga 16-17 vjeç të dyshuar si autorë të vrasjes me thikë të një 17-vjeçari dhe plagosjes së një 19-vjeçari.


Ngjarja e ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të martës dyshohet të ketë ndodhur pas një sherri banal për adresat në faqen e internetit "facebook", gjithsesi hetimet vijojnë. Mësohet se janë ndaluar shtetasit M.M., 17 vjeç, S.P, 17 vjeç, S.N., 16 vjeç dhe M.P. 17 vjeç.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qendër të qytetit, poshtë një trotuari të rrugës kryesore të Patosit, një vend disi i padukshëm nga sytë e kalimtarëve.


Viktima Daniel Rrapushi është gjetur i mbytur me gjak nga një i ri, por për të nuk mund të bëhej asgjë. Ndërkohë në spital ka përfunduar Rauf Bregu, 18 vjeç.


Në orët e vona të mbrëmjes policia ka nisur kontrollohet në të gjitha lokalet dhe dyqanet e qendrës. Në rrugë operative janë listuar edhe emrat e të dyshuarve, ndërsa janë bërë kontrolle në banesat e tyre, por nuk janë gjetur, për shkak se pas ngjarjes ishin larguar për t'iu fshehur policisë.


Forca të shumta policie si dhe civilë blinduan qytezën e Patosit, ndërsa u ngritën postblloqe në rrugët hyrëse dhe dalëse të qytetit.


Në orën 05:00 të mëngjesit të së mërkurës, forcat e policisë pas hetimit special, duke vënë në përgjim telefonat e autorëve kanë mundur të arrestojnë fillimisht 17-vjeçarin M.M. Marrja në pyetje e tij ka bërë të mundur edhe zbulimin e dy bashkëpunëtorëve të tjerë e pikërisht S.P., si dhe S.N. përkatësisht këta të moshës 17 dhe 16 vjeç.


Ndërkohë që rreth gjashtë orë më vonë, mesditën e së mërkurës policia ka arrestuar edhe autorin e katërt M.P., 17 vjeç, i afërm me S.P. i cili mbas arrestimit të tre adoleshentëve të tjerë ishte shpallur person në kërkim nga policia.


Akuzat e ngritura për katër adoleshentët e arrestuar janë "vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim", si dhe "plagosje e rëndë e kryer në bashkëpunim".


Të katër autorët kanë pranuar përfshirjen në sherr me viktimën dhe të riun tjetër që është plagosur. Ndërkohë janë zbuluar edhe autorët se kush ka qëlluar mbi viktimën me thikë, si dhe autorin e plagosjes së Rauf Bregut. Viktima Daniel Rrapushi, 17 vjeç, i cili vijonte shkollën e mesme të qytetit është përcjellë për në banesën e fundit në orën 15:00 të së mërkurës.


Dhjetëra të rinj, banorë të qytetit, familjarë, të afërt dhe të njohur të familjes së tij i kanë dhënë lamtumirën e fundit, ndërkohë që është dënuar akti i rëndë që i mori jetën adoleshentit.


Viktima njihej si i ri pa probleme. Për të parandaluar ndonjë përplasje të mundshme, policia ka vënë shërbim në katër banesat e autorëve, ndërsa po mbahen nën vëzhgim edhe të afërm të viktimës si dhe të të plagosurit që ndodhet ende në spital. Motiv i ngjarjes, sipas policisë, mësohet se ka qenë një sherr banal për adresat e "facebook"-ut, gjithsesi një pistë e tillë mbetet ende për t'u vërtetuar.


Është rasti i dytë që në Patos është përdorur thika duke marrë jetë njerëzish. Katër vjet më pare, në mjediset e shkollës së mesme një 16-vjeçar goditi mbi një 19-vjeçar duke e lënë të vdekur.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›