Ushtari profesionist kapet me drogë

Policia i bllokoi 600 gram marijuanë Afrim Muçkës pranë kompleksit të vilave amerikane
TIRANË- Një ushtar profesionist, i punësuar në Ministrinë e Mbrojtjes, u vendos në prangat e policisë, pasi i është gjetur një sasi prej 700 gramë lëndë narkotike e llojit kanabis sativa.
Afrim Mucka u prangos dje, për akuzën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Ushtari u prangos dje në mesditë në rrugën e Elbasanit, pranë kompleksit të vilave amerikane, kur gjatë një kontrolli iu është gjetur sasia e hashashit që e mbante me vete.
Nga burimet e policisë së Tiranës, mësohet se Mucka po dilte nga banesa e tij me një çantë, kur jo shumë larg shtëpisë iu janë vënë prangat. Ushtari profesionist e kishte futur lëndën narkotike në një çantë të vogël, por pas ndjekjes nga oficerët e zyrës së drogës në Policinë e kryeqytetit është vënë në pranga.
I arrestuari ndiqej nga policia, pas informacioneve se ky i fundit mbante lëndë narkotike në shtëpinë e tij. Policia ka vendosur ta ndjekë ditën e djeshme, teksa të dilte nga banesa me lëndën e dyshuar si kanabis sativa.
Ushtari i arrestuar është dërguar në ambientet e policisë ku është marrë në pyetje nga oficerët e Seksionit Kundër Lëndëve Narkotike. Mucka është pyetur për vendin ku e ka siguruar lëndën narkotike që dyshohet të jetë hashash, si dhe për destinacionin e saj. Droga e kapur ishte e paketuar dhe bërë gati për t'u shitur.
Nga hetimet paraprake të Policisë, dyshohet se sasia e hashashit të sekuestruar dje, ishte bërë gati për t'u shitur në zona të ndryshme të Tiranës. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur vendin ku mund ta ketë marrë ushtari profesionit sasisë prej 700 gramë hashash, që iu sekuestrua dje në një çante që mbante me vete.
Hetimet ndaj Muckës do të vazhdojnë edhe nga Prokuroria e Tiranës, për veprën penale të "prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.