Vranë inxhinierin në vend të djalit, arrestohen dy vëllezërit
Zbardhet vrasja e 62-vjeçarit Koli Veshi dhe plagosjen e djalit të tij Eni. Dy vëllezërit kishin qëlluar mbi ta në shenjë hakmarrjeje për një ngjarje të ndodhur 10 muaj më parë
FIER Dy vëllezërit Julian dhe Eljo Imeraj janë arrestuar nga policia e Fierit, pasi kanë rezultuar të jenë autorët e vrasjes së 62-vjeçarit Koli Veshi dhe plagosjes së djalit të tij Eni. Ndërsa është zbardhur arsyeja se përse dy vëllezërit i kishin zënë pritë 21-vjeçarit Eni Veshi dhe kanë dashur ta vrasin për motive hakmarrjeje. Disa muaj më parë vëllezërit Imeraj kanë pasur një sherr me Veshin, ku dhe janë konfrontuar më pas, pas sharjeve në rrjetin social të Facebook-ut. Madje, njëri prej tyre ka mbetur i plagosur, por jashtë rrezikut për jetën. Kaq ka mjaftuar që mes tyre të niste konflikti i cili nuk u zgjidh as me dënimin e 21-vjeçarit Veshi. Dy vëllezërit kishin thurur planin që të hakmerreshin ndaj të riut, ndërsa viktimë mbeti babai i tij, pasi ky i fundit i kishte dalë përpara për të mbrojtur.
Arrestimi
Shërbimet e Hetimit të Krimit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, pas 2 ditësh hetimesh intensive dhe pas një pune të mirorganizuar, në bashkëpunim të ngushtë dhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, bënë të mundur zbardhjen e vrasjes se 62-vjeçarit Koli Veshi dhe plagosjes së djalit të tij Eni Veshi, ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së datës 31 gusht në qytetin e Fierit.
Kështu u bë i mundur identifikimi dhe ndalimi i dy autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje të rëndë dhe ata janë dy vëllezërit Julian dhe Eljo Imeraj, përkatësisht 22 dhe 18 vjeç, banues në Fier.
Ngjarja
Specialistë të Hetimit dhe Parandalimit të Krimit, specialistë të sektorit Kundër Krimeve të Rënda, dhe shërbime të tjera të Drejtorisë së Policisë Qarkut Fier, kanë bërë të mundur këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe kanë administruar provat. Gjatë ecurisë së hetimit, rezultoi se dy vëllezërit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, rreth orës 21:30, të datës 31 gusht në lagjen “8 Shkurti” të qytetit të Fierit, kanë vrarë për motive hakmarrjeje, me armë zjarri pistoletë në afërsi të banesës së tij, inxhinierin e naftës Koli Veshi, 62 vjeç, dhe kanë plagosur djalin e tij 21-vjeçar Eni Veshi. Pas marrjes së ndihmës mjekësore, gjendja shëndetësore e të dëmtuarit paraqitet jashtë rrezikut për jetën.
Në vijim të veprimeve hetimore u gjet arma e zjarrit e llojit pistoletë, me të cilën dyshohet se është kryer krimi, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Dy vëllezërit tashmë akuzohen për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake, e kryer në bashkëpunim”.