Vranë për motive pronësie, tre në pranga
Mes të arrestuarve edhe një efektiv policie i komisariatit të Krujës. Policia ruan të dyja familjet nga frika e ndonjë hakmarrjeje
KRUJË Policia e Krujës shoqëron tre të afërm të viktimës Viktor Krosi, vrarë dy net më parë në fshatin Bushnesh të Krujës, vetëm pak metra larg banesës së tij. Sipas burimeve zyrtare të policisë, një nga të shoqëruarit është edhe efektiv i policisë së Krujës. Policia shprehet se ka zbuluar plotësisht ngjarjen dhe shkak i vrasjes kanë qenë konfliktet e vazhdueshme të viktimës me të afërmit e tij, deri në tentativa për vrasje e autorëve të krimit nga ana e viktimës pak kohë më parë për motive pronësie. Në momentin e vrasjes së Viktor Krosit, 37-vjeçari mësohet gjithashtu se ka qenë i shoqëruar nga djali i tij, i cili është zbritur nga autorët e krimit nga karroca e më pas i kanë ekzekutuar babain e tij.
Sipas burimeve zyrtare të policisë së Krujës, Viktor Krosi kishte patur vazhdimisht konflikte më të afërmit e tij, për motive pronësie. Disa herë ai kishte hyrë në banesën e tyre i armatosur me kallashnikov, duke i kërcënuar me armë dhe qëlluar edhe brenda në banesë, duke ushtruar presion te të afërmit e tyre. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Krujës, një muaj më parë viktima kishte hyrë në banesën e Llezha Krosit, në momentin që në tavolinë ishin ulur të hanin darkën. Mësohet se viktima ka hyrë në banesën e kushëririt të tij ai ka nisur të ofendojë ata e më pas ka qëlluar me automatik në tavanin e banesën, duke detyruar familjarët të mbështeteshin te muri e më pas ka qëlluar mbi tavolinën ku ishin pjatat e shtruara. Konfliktet e njëpasnjëshme duket se kanë sosur edhe durimin e të arrestuarve, të cilët kanë vendosur edhe ekzekutimin e kushëririt të tyre të pabindur. Ndërsa Viktor Krosi, babai i dy djemve, po kthehej në banesën e tij së bashku me djalin tij në një karrocë me kalë të ngarkuar me bar, kanë qenë kushërinjtë e tij të cilët vetëm 500 metra larg banesës i kanë dalë para dhe e kanë ndaluar nën kërcënimin e armës dhe pasi e kanë zbritur nga karroca djalin e tij, e kanë qëlluar me pistoletë viktimën, i cili falë plagëve të marra ka gjetur vdekjen gjatë transportit për në spitalin ushtarak Tiranë. Ndërkohë që autorët e krimit nuk janë larguar nga banesa kanë pritur forcat e policisë duke u dorëzuar dhe deklaruar edhe vrasjen. Mbetet për t’u parë nëse krimi është realizuar me pistoletën e policit apo armëmbajtje pa leje. Për këtë shkak arma e policit të Krujës, Llesh Krosi, është dërguar për ekspertim balistik tek ekspertët përkatës. Sipas policisë të shoqëruar deri tani dhe që pritet të arrestohen janë Llesh Krosi efektiv i policisë së Krujës, djali i tij Pal Krosi dhe njëkohësisht edhe vëllai i policit Anton Krosi.