Zjarri rrëmben hektarë me pyje dhe pisha
Gjirokastër, Vlorë, Elbasan, situata bëhet edhe më e vështirë, pasi ndërhyrja e zjarrfikësve bëhet e pamundur nga terreni i thyer
Temperaturat e nxehta të këtyre ditëve po shoqërohen me zjarre të fuqishme në zona të ndryshme të Vlorës, Gjirokastrës dhe Elbasanit. Ndërsa një ditë më parë në flakë kanë qenë zona të Pilurit, flakët kanë përfshirë pjesë që ndodhen pranë fshatrave Peshkëpi e Kropisht. Pas një dite të lodhshme dje në fshatin Pilur, ku zjarrfikëset janë rikthyer sërish në orët e vona të mbrëmjes, gjithë vëmendja e tyre është përqendruar pranë një kodre që ndodhet në afërsi të fshatrave të lartpërmendur. Siç mësohet, një vatër zjarri ndodhet në zonën e Karaburunit. Por ndërhyrja aty është e vështirë, për shkak të mungesës së rrugëve. Fatmirësisht zjarri po përparon në drejtim të kundërt me bazën e Pashalimanit, çka nuk përbën asnjë rrezik për të. Vazhdon të jetë i lartë intensiteti i vatrave të zjarrit në Qarkun e Gjirokastrës. Gjatë ditës së diel brenda një ore janë regjistruar tri vatra zjarri. Pas zjarrit të regjistruar në fshatin Dervician, ku flakët përfshinë një masiv me pisha dhe rrezikun disa shtëpi, janë shfaqur dy vatra të reja zjarri. “Pas gati një ore nga zjarri i Dervicianit, ne jemi sinjalizuar për dy zjarre në fshatrat Tërbuq dhe Labovë, të komunës Odrie, Gjirokastër”, thonë burime në repartin zjarrfikës. Zjarri i regjistruar në Tërbuq ka përfshirë një kullotë malore dhe toka bujqësore të mbjella me drufrutorë.
Një vatër zjarri shpërtheu dje në pyllin e fshatit Shushicë, 7 km larg Elbasanit. Në vendin e ngjarjes shkuan zjarrfikëset, policia, inspektorë të pyjores dhe banorë të zonës me synimin e lokalizimit të fikjes së kësaj vatre. Por zjarri i ndihmuar nga moti i thatë, era dhe pylli me pisha e shkurre, ka përparuar duke djegur një sipërfaqe mbi 6 hektarësh. Për shkak të terrenit të thyer, zjarrfikëset e kanë pasur të vështirë në fikjen e flakëve dhe një kontribut të madh dhanë vetë banorët e zonës. Sipas të dhënave paraprake, zjarri ka shkrumbuar sasi të konsiderueshme të pyllit me pisha e shkurre, megjithatë nuk paraqet rrezik për banesat e fshatit. Policia po punon për të zbardhur shkaqet e rënies së zjarrit. Deri më tani janë hedhur dy pista, ajo e shpërthimit nga pakujdesia dhe ajo e djegies së qëllimshme. F.S