E Diel, 1 Nëntor 2026

Vret gruan se largohej nga shtëpia pa lejen e tij

76-vjeçari Bajram Muçaj ka qëlluar me thikë gruan e tij Verën, pas konflikteve të shumta mes tyre. Autori tenton të vrasë veten

BULQIZË Krimi brenda familjes mbërrin në Bulqizë. Një burrë i moshuar ka masakruar me thikë gruan e tij, pasi ajo largohej pa lejen e bashkëshortit nga shtëpia. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje rreth orës 09.00 në lagjen “Minatori” të Bulqizës dhe është mësuar nga policia lokale dhe gjithë banorët e qytetit të vogël brenda pak minutave. Burime të sigurta informacioni saktësojnë se çifti prej ditësh grindej dhe se jetonte vetëm, pasi dy djemtë e tyre kishin emigruar prej vitesh jashtë vendit.

Grindjet

“Prej dy javësh çifti grindej shumë. Dëgjonim zhurma e zënka të shumta. Ata më parë shkonin mirë dhe na ka habitur ngjarja e fundit” - thanë për “Mapo”-n fqinjët e familjes Muça. Kanë qenë pikërisht komshinjtë që kanë njoftuar policinë se diçka jo normale po ndodhte në familjen e Bajram Muçës. “Të bërtiturat e gruas së tij Vera Muça kanë ngritur në këmbë gjitha lagjen, por asnjëri nuk ka guxuar të trokasë apo të hyjë në apartamentin e çiftit Muça” - janë shprehur dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes. Ndërkohë efektivat e policisë sapo kanë mbërritur pranë pallatit kanë shtyrë me forcë derën e shtëpisë dhe kanë gjetur 76-vjeçarin me një thikë në dorë, me të cilën po tentonte të vriste veten. Ndërkaq gruaja është gjetur e rrethuar nga një pellg gjaku, e pajetë. Policia ka prangosur menjëherë të moshuarin, i ka sekuestruar thikën dhe ka dërguar me morgun e qytetit, për ekspertizë ligjore, 70-vjeçaren Vera Muça. Sipas mjekëve, gruaja kishte disa plagë në trup, madje kishte dëmtime të organeve jetësore, pasi thellësia e goditjeve ishte e lartë dhe numri i goditjeve ishte i madh.

Shkaqet. Pakkush e beson se vrasja të ketë ndodhur për motive xhelozie, por mënyra si e tregon ngjarjen i moshuari lë të kuptohet se ai këtë krim mund ta ketë kryer edhe për këtë arsye. Burime të besueshme policore saktësojnë se Bajram Muça është shprehur se gruaja e tij largohej shpesh nga shtëpia pa lejen e tij, madje me makina të ndryshme. “Kohët e fundit nuk më bindej dhe largohej nga shtëpia. Udhëtonte me makina të ndryshme dhe kjo më pati shqetësuar. Ka ditë që i jam lutur të mos largohej pa më pyetur mua. Ajo nuk bindej, vazhdonte në të sajën. Nuk durova më gjatë dhe bëra këtë që bëra. Tani jam bërë pishman, por asgjë nuk kthehet mbrapsht” - janë disa nga fjalët e 76-vjeçarit në policinë e Bulqizës.

Precedenti

Tri ditë më parë një tjetër krim në familje është shënuar në qytetin e Shkodrës. Pa mbushur një vit nga martesa, ekzekuton gruan 18-vjeçare me një plumb në zemër. Bedrije Haxhia gjeti vdekjen në spitalin e Shkodrës, pak minuta pasi i shoqi e la në shkallët e urgjencës, pasi e kishte transportuar me motor në grahmat e fundit të jetës. Sipas burimeve policore, autori i vrasjes së 18-vjeçares është bashkëshorti i saj Eder Haxhia, 24 vjeç, i cili tentoi arratisjen, për t’u arrestuar pak orë më pas.

P. HASA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›