E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vranë shokun, dy vëllezërit në gjyq

 

Trazhgim Sokolaj

Dy vëllezërit Elvis dhe Ervin Meta dërgohen të pandehur në Gjykatën e Tiranës me akuzën e vrasjes me thikë të bashkëmoshatarit të tyre Jeton Ferhati. Prokuroria e Tiranës tha se ka mbyllur hetimet për ngjarjen e ndodhur pas një konflikti mes të rinjve në Laprakë, duke dërguar dosjen për shqyrtim në Gjykatën e Faktit. Sipas Prokurorisë, ngjarja ndodhi më 10 qershor 2009, pas një sherri mes viktimës Jeton Ferhati dhe njërit nga vëllezërit Meta. Konflikti është acaruar dhe në ngjarje ka ndërhyrë edhe vëllai tjetër, i cili ka qëlluar me thikë 19-vjeçarin Ferhati, i cili më pas gjeti vdekjen në Spitalin Ushtarak si pasojë e plagëve të marra në trup. Sipas aktit të autopsisë, i riu është qëlluar me thikë në trup, çka i ka sjellë vdekjen e menjëhershme në spital. Policia arrestoi pak kohë pas ngjarjes Elvis dhe Ervin Metën, 24 dhe 22 vjeç, duke i akuzuar për vrasjen.  
Konflikti për një party
Konflikti mes të rinjve, sipas disa dëshmitarëve të pyetur nga Prokuroria, ka nisur në kryqëzimin e rrugës që del nga Spitali Ushtarak me “rrugën e Durrësit”. Dëshmitarët kanë pohuar gjatë hetimit se ditën e ngjarjes, në një lokal pranë vendit ku ndodhi vrasja, organizohej një “party” me gjimnazistët e shkollës “Aleks Buda” të kryeqytetit. Jeton Ferhati kishte hyrë në lokal “i paftuar”, ku priste në një tavolinë edhe disa shokë të tij. Gjatë kësaj kohe ka pasur disa batuta mes viktimës dhe njërit prej vëllezërve Meta. Më vonë, Jeton Ferhatin e kanë kërkuar disa persona “për një sqarim” jashtë lokalit. Konflikti ka nisur sapo i riu ka dalë te porta e lokalit, ku organizohej festa e gjimnazistëve. Viktima dhe autorët e ngjarjes mësohet se kanë pasur njohje të mëparshme, por kjo duket nuk i ka ndihmuar të gjenin një marrëveshje. Pas disa sharjeve nga të dy palët në konflikt, Jeton Ferhati është qëlluar me thikë në zemër dhe ka vdekur jo më vonë se 20 minuta pas kësaj në Spitalin Ushtarak. Autorët e ngjarjes ikën nga vendi i krimit duke u larguar rrugicave në thellësi të Laprakës, por u arrestuan nga policia njëri pas tjetrit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›