Denoncimi, vidhen kompjuterët në zyrat e shkollës “28 Nëntori”
TIRANE - Drejtoresha e shkollës 9-vjeçare “28 Nëntori” në Laprakë të kryeqytetit, ka denoncuar në polici vjedhjen e katër kompjuterëve në sallën ku zhvillohet ora e Informatikës. Ngjarja është denoncuar mbrëmjen e djeshme në Komisariatin nr.3 dhe dyshimet e para janë hedhur mbi vetë nxënësit e kësaj shkolle. Vjedhja është konstatuar dy ditë më parë tek shkolla 9-vjeçare “28 Nëntori”, që ndodhet në rrugën “Lord Bajron” në Tiranë. Ka qenë drejtoresha e kësaj shkolle, Lirie Ahmeti, e cila ka lajmëruar policinë për vjedhjen e kompjuterëve. Policia e Komisariatit nr.3, por edhe specialistë të Sektorit të Vjedhjeve mbërriti menjëherë në shkollën 9-vjeçare, në katin e tretë, në sallën e kompjuterëve, vend ku ishte kryer vjedhja. Sipas policisë rezulton se në sallën e kompjuterëve janë vjedhur aksesorët e katër kompjuterëve. Nisur edhe nga denoncimi i drejtoreshës Ahmeti, por edhe verifikimeve që janë bërë në vendin e ngjarjes, dyshohet se vjedhja mund të jetë realizuar nga vetë nxënësit e shkollës. Kjo pasi nuk janë gjetur gjurmë thyerjeje nga jashtë shkollës. E vetmja shenjë ka qenë prishja e bravës së derës në klasën e katit të tretë ku ndodheshin kompjuterët. Dera e jashtme e shkollës ishte e padëmtuar, po ashtu edhe xhamat e dritareve të klasës në katin e tretë. Policia ka marrë në pyetje disa nga nxënësit e shkollës, ata që mbahen si më problematikët, por deri më tani asnjë person nuk është dalluar si autor i ngjarjes. Policia pohoi se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa materialet i kanë kaluar Prokurorisë për veprën penale të “vjedhjes”.